Partitë politike: Kuvendi të përfshihet në dialogun me Serbinë
06/10/2017
Partitë politike: Kuvendi të përfshihet në dialogun me Serbinë
Deputetë të partive kryesore politike në Kosovë kërkojnë që bisedimet me Serbinë të mos mbeten vetëm ekskluzivitet i Qeverisë, por në to të përfshihet edhe Kuvendi i Kosovës.

Gjatë një tryeze të organizuar me temën “Roli i Kuvendit në të ardhmen e dialogut Kosovë-Serbi”, Glauk Konjufca nga Vetëvendosje thotë se transparenca në bisedimet me Beogradin deri më tani është shmangur. Ai thotë se Kuvendi duhet të jetë epiqendra e këtyre bisedimeve.

“Kuvendi duhet të jetë epiqendra e dialogu dhe ndërtuesi i këtij dialogu, kurse në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë dhe me subjektet, pavarësisht spektrit që i përkasin, apo formacioneve pozitë apo opozitë  edhe me Presidentin pse jo”, tha ai.

Ahmet Isufi i AAK-së thotë se niveli i bisedimeve ka devijuar duke shmangur detyrimet e Serbisë. IndeksiOnline shkruan se edhe ai kërkon që formati i dialogut të ndryshojë.

“Degradimi i dialogut që ka ndodh në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë , na ka detyruar të themi që ky dialog është i dëmshëm prandaj  formati i tij duhet të ndryshojë. Kosova duhet ta ketë platformën paraprake që të shkoj në bisedime në tema që janë të dobishme për Kosovën dhe përmirësimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Përveç marrjes pjesë në  krijimin  një platforme që do të përcaktonte saktë, se cilat duhet të jenë segmentet e bisedimeve, po ashtu dhe nga përfaqësues që marrin pjesë në bisedimeve në emër të shtetit të Kosovës t’i raportojnë Parlamentit të Kosovës”, tha ai.

Edhe nga PDK pranojnë që Kuvendi duhet të përfshihet në këto bisedime.

Se Kuvendi duhet të jetë i kyçur në këtë proces e pranon edhe deputeti nga PDK-ja  Elmi Reçica. Ai tha se duhet të bëhet një ndryshim, apo riformatim i këtij procesi.

“Çdo marrëveshje rreth dialogut me Serbinë parlamenti duhet të jetë kyçur, duhet të jetë i i informuar dhe ata të të cilët udhëheqin dialogun, kushdoqoftë prej institucioneve, duhet të raportojnë në Kuvend”, thotë deputeti i PDK-së, Elmi Reçica.

Bilal Sherifi, nga Nisma për Kosovën, tha se nuk duhet të vazhdohet më me politikën e strucit dhe se nuk duhet të merren vendime të ngutshme në dialogun Kosovë-Serbi, të cilat e sjellin shtetin në vështirësi, siç ka ndodhur dhe me marrëveshjen me Demarkacionit.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.