Guvernatori Sejko, në konferencën e 7 të BQE-së
06/10/2017
Guvernatori Sejko, në konferencën e 7 të BQE-së
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në konferencën e 7 të Bankës Qendrore Evropiane për vendet e Evropës Qendrore Lindore dhe Juglindore.

Punimet e kësaj konference ishin konceptuar në dy sesione kryesore, me pjesëmarrës përfaqësues të lartë të BQE-së, guvernatorë të bankave qendrore të vendeve të EQLJL, si dhe ekspertë të njohur të sektorit bankar dhe financiar.

Diskutimet e konferencës u fokusuan në mënyrë të veçantë në rolin që kanë sot bankat qendrore në procesin e konvergjencës ekonomike në Bashkimin Evropian, bazuar në përvojën e secilit vend, në ndërtimin e institucioneve.

Guvernatori Sejko ishte pjesë e panelit të sesionit me temë “Sfidat dhe politikat për të arritur një konvergjencë ekonomike të qëndrueshme në vendet e EQLJL”, nën drejtimin e z. BenoîtCœuré, Anëtar i Bordit Drejtues të BQE-së.

Në këtë tryezë, Guvernatori bëri një pasqyrë të sfidave me të cilat po përballet procesi i konvergjencës i EJL, nga këndvështrimi i Bankës së Shqipërisë, si dhe pozicionimin e vendit tonë përballë këtyre dimensioneve.

Gjatë fjalës së tij, Guvernatori Sejko nënvijëzoi se nëpërmjet reformave strukturore të ndërmarra në vend, kuadri institucional ka qenë kontribues në procesin e konvergjencës. Gjithashtu ai shtoi se politikëbërja makroekonomike është përmirësuar së fundmi, duke ndihmuar në arritjen e një rritjeje ekonomike afatgjatë, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.

Më tej, Guvernatori Sejko u shpreh se e ardhmja politike afatgjatë dhe prosperiteti ekonomik, lidhen ngushtë me procesin e konvergjencës e atë të integrimit në BE, si dhe, megjithëse vendet e rajonit të EJL-së kanë dallime midis tyre, përfitimet ekonomike dhe politike nga procesi përbëjnë një specifikë të përbashkët.

Në përfundim, Guvernatori Sejko theksoi se kontributi i institucioneve të Bashkimit Evropian në këtë proces mbetet i një rëndësie të veçantë, falë ofrimit të udhëzimeve transparente dhe objektive të integrimit në BE, si dhe monitorimit dhe raportimit të progresit të secilit vend. “Nga njëra anë, kjo do të forcojë ndikimin pozitiv të procesit të integrimit në BE për zhvillimin e vendeve dhe shoqërive tona. Ndërsa nga ana tjetër, do të nxisë konkurrueshmërinë pozitive mes vendeve të rajonit, në drejtim të përputhshmërisë”, u shpreh Guvernatori Sejko.

Gjatë kësaj konference Guvernatori i Bankë së Shqipërisë, Sejko iu përgjigj pyetjeve të pranishmëve, si dhe pati mundësi të diskutojë me përfaqësues të lartë nga BQE-ja dhe guvernatorë të bankave qendrore të vendeve të EQLJL.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.