Sekuestrohet 1 ton kanabis, shoqërohen dy skafistë

20/09/2017

Sekuestrohet 1 ton kanabis, shoqërohen dy skafistë
Rreth një ton kanabis është sekuestruar në një tjetër operacion të përbashkët antidrogë që po vijon të zhvillohet në det e tokë.

Operacioni nga Policia Kufitare Vlorë, Delta Force, Roja Bregdetare, Guardia di Finanza, Policia Vlorë e Policia Fier. Operacioni ka nisur në mesnatë, me sinjalizim të radarit të Policisë Kufitare në Hoxharë.

Njoftohet se është bllokuar midis Plazhit të Levanit dhe Darëzezës një velierë me emrin “Nano Nini”, me flamur italian dhe me dy persona në bord, një italian dhe një shqiptar.

Policia po rikuperon lëndën narkotike që skafistët kanë hedhur në det, ndërsa vetë skafistët janë shoqëruar në polici për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i plotë i policisë:

Një tjetër operacion antidrogë është finalizuar me sukses nga policia shqiptare në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar, në det dhe tokë.

Në operacion kanë marrëpjesë policia kufitare e vlorës, roja bregdetare, Guardia di Finanza, si dhe drejtoritë e policisë së Vlorës dhe Fierit.

Operacioni nisi në mesnatë pas sinjalizimit të radarit të policisë kufitare në Hoxharë dhe pas disa orësh, mes plazhit të Semanit dhe Darëzezës, në vendin e quajtur Kanali i Serës, është bllokuar një velierë me emrin “Nano Nini”, flamur belg dhe 2 persona në bord, një shtetas italian dhe një shqiptar.

Operacioni është zhvilluar në kushte shumë të vështira meteorologjike, pasi deti kishte dallgë që arrinin deri në 5- 6 ballë. Për këtë arsye, policia kufitare dhe njësia Delta Forcë kanë kërkuar ndihmën e Rojës Bregdetare dhe më pas atë të GdF-së.
 
Kur personat në velierë kanë parë se në drejtim të tyre po shkonin Roja Bregdetare dhe policia kanë hedhur lëndën narkotike në det. Vetë ata janë prangosur dhe janë shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë së Fierit.

Efektivët e policisë së Fierit, ata të FNSH-së që i janë bashkuar aksionit dhe ata të Delta Forcës gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit kanë rekuperuar lëndën narkotike të hedhur në det, e cila ka rezultuar 1 ton e 191 kg kanabis sativa, e ndarë në 151 pako.

Ndërkohë, gjatë kontrollit në mjetin lundrues janë gjetur mbetje të lëndës narkotike, dy armë gjahu pa leje, dy aparate GPS dhe një palë dylbi.

Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga specialistët për hetimin e narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë së Fierit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, u bë arrestimi i dy personave që u gjetën në bordin e mjetit lundrues:

•   Veli Ymeraj, 35 vjeç, banues në Fier.
•   Giovanni Palladino, 69 vjeç, banues në Itali.

Ata akuzohen për veprat penale “trafikimi i lëndëve narkotike”, “prodhim dhe shitja të lëndëve narkotike” dhe “mbajtja pa leje e armëve të gjahut”.

Dyshohet  se  mjeti lundrues kishte destinacion Italinë, ndërkohë që vijojnë hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe me policinë italiane për zbardhjen e plotë të tentativës për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.