SHBA, të shtëna në një shkollë pranë Uashingtonit

13/09/2017

SHBA, të shtëna në një shkollë pranë Uashingtonit
Një nxënës ka humbur jetën dhe 3 të tjerë janë plagosur në SHBA, pasi një person ka hapur zjarr në ambjentet e një shkolle në një qytezë pranë Uashingtonit.

Ngjarja ka ndodhur në shkollën e mesme në Rokford, në jug të lokalitetit Spokejn, ku tre fëmijët e plagosur janë dërguar në spital dhe pritet t’u mbijetojnë plagëve.

Autoritetet amerikane kanë deklaruar se kanë arritur të ndalojnë autorin e sulmit të armatosur, i cili ndodhet nën arrest.

Autoritetet u kanë komunikuar mediave se, për momentin nuk dihen motivet e këtij veprimi të agresorit, gjeneralitetet e të cilit janë mbajtur të fshehta.

Ngjarja ka tronditur banorët e qytezës, që ka vetëm një rrugë me dy korsi dhe rreth 500 banorë, shumë prej të cilëve, prindër të nxënësve, kanë vërshuar në shkollë për të parë gjendjen e fëmijëve të tyre.

Cheryl Moser ka deklaruar për “Associated Press” se djali i saj, në vitin e parë të shkollës së mesme, e kishte telefonuar nga tualeti pasi kishte dëgjuar të shtënat.

“Ai më mori dhe tha, ‘mami, ka të shtëna’. Ai ishte i frikësuar, s’e kam dëgjuar kurrë të flasë ashtu”, tha zonja Moser. Ajo u shpreh e habitur që diçka e tillë mund të ndodhë në një qytezë kaq të vogël.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.