Sarandë, banorët e Kranes vetëm 15 minuta ujë në ditë

13/09/2017

Sarandë, banorët e Kranes vetëm 15 minuta ujë në ditë

Banoret e Kranes ngarkojne gomeret me bindone

I nxehti afrikan që pushtoi vendin tonë këtë verë nuk mund të harrohet lehtë. Pikërisht në mesin e gushtit, kur temperaturat nuk ranë nën 40 gradë, “Fiks Fare” udhëtoi në Krane të Sarandës. Banorët e këtij fshati furnizoheshin vetëm 15 minuta në ditë me ujë.

Banorët ishin mbledhur në mes të fshatit duke pritur grupin e xhirimit të “Fiks Fare”. Pa u përshëndetur mirë, njëzëri ata kërkuan ujë të pijshëm.

“U qelbëm! Do të zëmë morra. Kërkoj ujë me pagure nëpër kanale lartë e poshtë”, u shpreh një banore 70-vjeçare.

Në fshat kishte edhe nga ata që ndiheshin të zhgënjyer nga ky sistem dhe thanë se edhe në kohën e Enver Hoxhës furnizoheshin me ujë 24 orë në ditë.

Edhe pse me kaq pak minuta ujë në ditë, banorët e Kranes paguajnë 13.500 lekë të vjetra në muaj për ujin që konsumojnë. Kjo u është vënë afrofe pasi ata nuk janë të pajisur me matësa. Kjo gjë i ka irrituar edhe më shumë, pasi, siç thanë vetë, edhe në Greqi nuk janë këto çmime.

“Turpi i botës që ne kemi Bistricën pranë, që derdhet në det dhe nuk kemi një pikë ujë në shtëpi”, tha një tjetër banor.

Shqetësimit të tyre i parapriu kryeplaku i fshatit, Irakli Kiço. Ai shpjegoi se Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve Sarandë në fshatin Krane nuk ka bërë asnjë investim. Linja kryesore ka qenë ekzistuese, kurse rrjetin brenda fshatit, siç tha kryeplaku, e kanë bërë vetë.

“Ndërrmarja e Ujësjellësit në Sarandë nuk ka asnjë lloj dokumenti të ujësjellësit të Kranes dhe e kanë vënë çmimin 13.500 lekë të vjetra. Unë i kam thënë drejtorit të ndërrmarjes, rregullo rrjetin e brendshëm, më sill ujin, vendos sahatët dhe do të marrësh lekët”, tha ai.

Në përballje me banorët ishte i pranishëm edhe administratori i UKS, Sheme Lulo, i cili iu drejtua banorëve duke thënë se kjo është një periudhë e vështirë për shkak të thatësirës.

“Burimi i Navaricës që furnizon fshatin, por edhe komplet qytetin e Sarandës prodhon 50% litra ujë për sekond më pak se kapaciteti i tij. Sot, në momentin e thatësirës kërkesa është më e madhe dhe atë shtrirje që kishte për gjysmë apo një orë tani e merrni për 20 minuta apo gjysmë ore. Kjo është e gjitha”, iu shpjegoi ai banorëve.

Administratori theksoi se kjo situatë është e përkohshme pasi brenda pak ditëve situata do të përmirësohej, pasi edhe fluksi në Sarandë ishte drejt rënies. Kjo do të thotë rritje e furnizim me ujë për fshatin Krane, tha ai.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.