Denoncimi në “Fiks Fare”, reagon Ambasada britanike në Tiranë
13/09/2017
Pas denoncimit të një nate më parë në emisionin investigativ “Fiks Fare”, të një grupi të gjerë trafikantësh që dërgonin klandestinë drejt Mbretërisë së Bashkuar, ka reaguar Ambasada britanike në Tiranë.

“Ne, prej shumë kohësh, jemi në dijeni të ekzistencës së bandave kriminale që ofrojnë shërbime për të lehtësuar hyrjen e paligjshme në Britaninë e Madhe. Britania e Madhe ka rritur shkëmbimin e informacionit të përpunuar me partnerët europianë dhe me ata ndërkombëtarë, në kuadër të shënjestrimit të bandave të lidhura me trafikimin e njerëzve, duke ngritur kështu Task Forcën e Krimit të Organizuar të Emigracionit, që funksionon në 17 shtete”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Ambasada e Britanisë së Madhe në Shqipëri shton më tej:

“Çdo vit humbasin shumë jetë të pafajshme, sepse njerëzit u japin besim kriminelëve, interesi i vetëm i të cilëve janë paratë që ata përfitojnë. Rrallëherë merret parasysh siguria e atyre që udhëtojnë. Ne e kuptojmë se disa njerëz e gjejnë veten në një situatë të pashpresë, megjithatë jeta e tyre nuk duhet kurrsesi të rrezikohet në të tilla udhëtime”, vijon komunikata e Ambasadës britanike në Tiranë.

Nëpërmjet kamerave të fshehta, gazetarët e “Fiks Fare” dokumentuan të gjithë rrugëtimin e shqiptarëve drejt “tokës së premtuar”. Sekserët kërkonin nga 9 deri në 11 mijë euro për dërgimin e një qytetari drejt Anglisë.

Gazetarët ranë në gjurmët e trafikantëve nëpërmjet rrjeteve sociale. Më pas bisedat në telefon, e në fund takimet, të cilat u zhvilluan në qytetin e Vlorës.

Sekserët u treguan gazetarëve të “Fiks Fare” rrugëtimin. Udhëtimi nga Shqipëria drejt Belgjikës bëhej me autobus. Kalimi drejt Britanisë së Madhe realizohej me autobusë, kamionë ose jahte. Sekserët treguan gjithashtu se kanë dhjetëra “prenotime”, nga të gjitha qytetet e Shqipërisë.

Sipas tyre, meshkujt trafikohen më lehtë, ndërsa për vajzat dhe fëmijët është shumë më e vështirë, gjë që përkthehet në shuma më të mëdha për t’u paguar.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.