“Albanian Soul”
13/09/2017
Më 23 shtator, sheshi “Skënderbej” do të jetë qendra e muzikës shqiptare. 70 artistë do të interpretojnë së bashku me violinistin e Filarmonisë së Vjenës, Shkëlzen Doli. Për Top Channel, Shkëlzen Doli zbulon disa nga detajet e këtij koncerti, që premton të jetë madhështor.

TCH: Përshëndetje Shkëlzen, do t’iu shohim së shpejti në sheshin “Skënderbej”, më 23 shtator. A është kjo një dëshirë për të promovuar muzikën shqiptare nga ana juaj?

Shkëlzen Doli: Po, do të jetë një koncert madhështor. E kemi quajtur me qëllim “Albanian Soul”, sepse përmes muzikës dhe artit duam të tregojmë shpirtin shqiptar.

TCH: Sa i përket pjesës së Filarmonisë së Vjenës, emri juaj është i lidhur ngushtë me ta. A do të ketë protagonistë në këtë koncert?

Shkëlzen Doli: Po. Do të jenë edhe dy solistë të Filarmonisë së Vjenës. Do të jetë një flautist dhe një violinçelist.

TCH: Sa i përket pjesës shqiptare të instrumentistëve, një numër jo i vogël do të jenë nga e gjithë shqiptaria?

Shkëlzen Doli: Do të jenë pak a shumë 70 vetë, muzikantë të rinj nga të gjithë trojet shqiptare. Është një nismë e imja dhe e gjithë atyre që janë mbrapa si organizatorë, për ta promovuar artin shqiptar si pikënisje në sheshin “Skënderbej” më 23 shtator, duke e pasur si qëllim në vitin 2018 që të kemi një turne në Europë, në Amerikë dhe Azi.

TCH: A mund të na zbuloni pak nga ajo çfarë do të kemi në shesh, më 23 shtator?

Shkëlzen Doli: Do të ketë melodi nga më të bukurat, nga ato që ne jemi rritur gati gjysmëshekulli. Këngët që ne i njohim, të ripërpunuara. Do të këtë edhe dy kompozicione të reja të muzikës shqiptare. Do të ketë edhe muzikë klasike. Them klasike, por ato janë muzikë autoktone të vendeve të tjera, si spanjolle, për shembull “Granada”, apo një tango nga Argjentina. Do të ketë edhe valse të ndryshme. Pra do të jetë i shumëllojshëm. Do të ketë muzikë shumë të larmishme nga të gjitha vendet e botës.

/ Top Channel



MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.