Klandestinët hyjnë nga mali, kapen 85 refugjatë në dy javë
13/09/2017
Rikthehet fluksi i emigrantëve të paligjshëm nga vendet arabe dhe te lindjes që tentojnë të kalojnë përmes Shqipërisë në shtetet e Bashkimit Europian.

Prej disa ditësh Policia Kufitare po përballet me grupe personash kryesisht algjerianë, sirianë, marokenë, irakianë, tunizianë, libianë dhe nga vende të tjera të Lindjes së Mesme, të cilët kalojnë kryesisht nga kufiri i gjelbër me Greqinë në territorin shqiptar, në mënyrë të paligjshme.

Vetëm gjatë muajit shtator Policia Kufitare dhe migracionit ka ndaluar 85 persona për të cilët në shumicën e rasteve është proceduar me urdhra largimi me ekzekutim vullnetar. Nga analizat e policisë rezulton se ka edhe nga ato emigrantë që janë përsëritës dhe e kanë për të disatën herë tentativën për të kaluar nga territori shqiptar.

Disa prej emigrantëve janë dërguar edhe në Qendrën Kombëtare Pritëse për azilkërkues që ndodhet në zonën e Babrrusë në kryeqytet ndërkohë që nisur nga kjo situatë policia ka marrë masa për të shtuar kontrollet në kufirin e gjelbër.

Lëvizja e emigrantëve në këtë territor kryhet në mënyrë te organizuar kundrejt pagesave të ndryshme, madje në një rast një grup kishte arritur deri në pikën e kalimit kufitar të Muriqanit kur janë ndaluar nga policia në tentativë për të kaluar drejt malit të zi.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.