Debati për vizat, Sakiqi: Nuk ekziston asnjë raport

22/08/2017

Ditët e fundit politika shqiptare është përfshirë nga një debat për rikthimin e vizave nga Holanda, pas një artikulli të publikuar nga gazeta "De Telegraaf" e këtij shtetit. E ftuar në studion e lajmeve të Top Channel ka qenë ambasadorja e Shqipërisë në Holandë, Adia Sakiqi, e cila ka sqaruar se një raport i tillë nuk ekziston.

“Kjo gazetë publikoi një artikull me titull “mafia shqiptare po shtrin tentakulat e saj në Amsterdam. Ajo që më habiti më shumë është se këtë artikull e gjej të përkthyer si raport në median shqiptare. Në artikull thuhet se ekziston një memo e brendshme e policisë. Gjë që normalisht duhet të ekzistojë”, ka sqaruar ambasadorja Adia Sakiqi.

E pyetur se nëse mund të rrezikohet rikthimi i regjimit për t’u pajisur me viza për të lëvizur në vendet e zonës Shengen, ambasadorja Sakiqi e sheh si të pamundur që kjo të ndodhë duke theksuar se ky është një vendim i shumë shteteve, jo vetëm i Holandës.

“Ky rrezik nuk ekziston, është një vendim i shumë vendeve. Nuk ka pasur asnjë kërkesë zyrtare, asnjë shqetësim të transmetuar në mënyrë zyrtare nga autoritetet holandeze. Kam kontaktuar me autoritetet holandeze pasi kam lexuar artikullin dhe mu komunikua nga Ministria e Drejtësisë dhe Sigurisë se ata nuk kanë marrë në dorëzim kurrëfarë raporti”, tha ajo.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.