Ndahet nga jeta Bajram Rexhepi, ish-kryeministër i Kosovës

21/08/2017

Ndahet nga jeta Bajram Rexhepi, ish-kryeministër i Kosovës
Ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi ka ndërruar jetë në moshën 63-vjeçare në Turqi, ku ndodhej i shtruar në spital prej kohësh pas një hemorragjie cerebrale që e kishte futur në koma.

Njoftimin e vdekjes së tij e dha familja e të ndjerit. Rexhepi, i lindur në Mitrovicë, ishte diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, e deri në vitet 1990 kishte punuar si kirurg i përgjithshëm dhe specialist endoskopik në Spitalin Rajonal të Mitrovicës.

Gjatë luftës me Serbinë, 9 vite më vonë, ai iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kaloi 3 muaj në male duke shërbyer si mjek në Zonën Operative të Shalës.

Rexhepi ishte trajtuar fillimisht në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku edhe iu nënshtrua një operacioni, por në mungesë të përmirësimit është vendosur transferimi i tij në Turqi, ku qëndroi për disa muaj.

Shpenzimet e trajtimit mjekësor të ish-kreut të ekzekutivit kosovar i ka mbuluar Ambasada turke në Prishtinë.

Ngushëllime për ndarjen nga jeta të Bajram Rexhepit kanë shprehur edhe Presidenti Ilir Meta, kryeministri Edi Rama dhe kreu i opozitës Lulzim Basha.

Për kreun e shtetit, Rexhepi do të mbetet i paharruar për shqiptarët me kontributin e tij si kryeministër i parë i Kosovës dhe si luftëtar i paepur për pavarësinë. Ndërsa kryeministri Rama, në mesazhin e tij të ngushëllimit nënvizon se Bajram Rexhepi ia doli aty ku shumëkush nuk ia del dot. Nga ana e tij, Lulzim Basha, duke vlerësuar rolin e Rexhepit thekson se pak njerëz i kanë shërbyer popullit të tyre si ai.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.