Vettingu ka nisur. ILDKPKI dhe hipotekat po verifikojnë pasuritë
13/08/2017
Miratimi nga Parlamenti i institucioneve të vettingut në qershor ishte vetëm hapi i parë i ngritjes së komisioneve që do të kontrollojnë pasuritë dhe figurën e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Por, organet e reja të vettingut nuk mund të nisin shqyrtimin e dosjeve konkrete, pa u mbledhur më parë Parlamenti i ri.

Bërja efektive e Komisionit të Kualifikimit dhe e Kolegjit të Apelimit lidhet ngushtësisht me një vendim të Kuvendit të Shqipërisë, që pritet të mbajë seancën e parë të legjislaturës së re në fillim të shtatorit.

Ligji i vettingut i jep Parlamentit kompetencën për të miratuar strukturën organizative për personelin që do të punojë në institucionet e rivlerësimit. Kjo do të thotë se, pa miratimin e kësaj strukture, që do t’i hapë rrugë rekrutimit, kryesisht të juristëve dhe ekonomistëve me mbi 7 vite përvojë pune në drejtësi ose administratë, organet e vettingut nuk mund të kryejnë veprime në marrëdhënien me palët e tjera.

Por kjo nuk do të thotë se puna për vettingun ka ngecur. Ligji u jep të drejtë disa insitucioneve, si Inspektoriati i Pasurisë dhe Drejtorisë së Kontrollit të Figurës të shqyrtojnë vërtetësinë e deklarimeve në formularët përkatës nga njerëzit e drejtësisë.

Top Channel mësoi se Inspektoriati i Pasurive po bashkëpunon ngushtë me Zyrën e Hipotekave për të zbuluar nëse gjyqtarët apo prokurorët kanë pasuri të paluajtshme të padeklaruar. Procedura do të kërkojë kohë, por besohet se informacionet e duhura do të jenë gati deri në fund të vitit, kur edhe godina e punës së insitucioneve të vettingut të ketë mbaruar restaurimin.

Për t’u dhënë rëndësinë që kanë, institucionet që do të bëjnë rivlerësimin e pasurisë dhe figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve do të vendosen në qendër të Tiranës, në një godinë ikonë, që njihet si ish-Lidhja e Shkrimtarëve. Projektuesit e rikonstruksionit i kanë vendosur edhe një emër objektit, atë më popullorin, “Godina e vettingut”, restaurimi i së cilës do të kushtojë rreth një milion euro.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.