Premier League, kompanitë e basteve: Conte shkarkohet i pari
13/08/2017
Premier League, kompanitë e basteve: Conte shkarkohet i pari
Në Britaninë e Madhe bëjnë jo pak bujë bastet për momente të ndryshme në futboll, me kompanitë që nuk kufizohen vetëm në lojën në fushë, por gjithashtu edhe se çfarë ndodh jashtë saj apo në pankinë.

Fillimi i keq i Chelseat dhe merkatoja e varfër e kanë bërë Antonio Conten, favoritin numër një për t’u shkarkuar mes trajnerëve elitarë të Premier League.

Asnjë skuadër angleze nuk ka arritur të fitojë titullin kampion dy herë radhazi, që prej Manchester United në vitin 2009. Ky vit duket se nuk do të bëjë përjashtim me Chelsean kampion në fuqi, që është larg formës së titullit, e me rivalët që janë fuqizuar kaq shumë në merkato.

Kompanitë e basteve mendojnë se Conte nuk do të mund të përfundojë sezonin në pankinën e “bluve” londinezë, e disfata e çeljes së sezonit, 3-2 ndaj Burnley, shton kuotat për këtë gjë.

Trajneri i dytë favorit për t’u shkarkuar shpejt është Rafael Benitez. Spanjolli i qëndroi besnik Newcastle United vitin e kaluar kur ra nga kategoria, por nëse nuk merr rezultate këtë vit në Premier League, atëherë pronari Mike Ashley i ka gati zëvendësuesit.

Emri i tretë në listën e trajnerëve me më shumë mundësi për t’u shkarkuar është menaxheri i Stoke City, Mark Hughes.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.