“Luciferi” nuk kursen Serbinë
12/08/2017
Vala e të nxehtit që ka përfshirë Evropën jug-lindore, e pagëzuar me emrin “Lucifer”, ka bërë që temperaturat në shumë vende të rriten mbi 40 gradë Celsius.

Dhe Serbia, e rrethuar nga të katër anët me kufij tokësor, nuk bën përjashtim. Rreth 250 km në jug të kryeqytetit serb, Beograd, ndodhet zona bujqësore e Aleksandrovos.

Në vend që të shohësh aktivitetet e zakonshme të bujqve në këtë periudhë, pamja është krejt e ndryshme. Toka është zhuritur nga dielli, të mbjellat zor të mbijetojnë, ndërkohë që kolona tymi ngrihen në ajër nga zjarret e nëpër pyjet përreth.

Të gjithë në këtë zonë thonë se nuk kanë përjetuar mot të tillë asnjëherë. Misrat në miniaturë që kanë mbetur janë rezultat i motit ekstrem që arriti kulmin.

Ato bimë të pakëta që kanë mbetur sulmohen nga turma zogjsh të uritur, që lënë pas thuajse asgjë. Sipas fermerëve, misri është goditur më rëndë e pas tij edhe gruri.

Temperaturat e larta rritën në mënyrë dramatike frikën e zjarreve shkatërruese, diçka e zakonshme dhe e parë shpesh nga banorët gjatë këtyre verave të fundit.

Për të përballuar këto emergjenca, Serbia dhe Rusia pesë vite më parë krijuan një qendër humanitare në Nish. Gjatë sezonit të verës, avionët e zjarrfikësve rusë dhe helikopterët qëndrojnë në një aeroport lokal në mënyrë që të ndërhyjnë shpejt.

/ Top Channel



MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.