Korea e Veriut-Trump: Mbaj gojën! Ndërhyn Kina: Qetësohuni!

12/08/2017

Korea e Veriut-Trump: Mbaj gojën! Ndërhyn Kina: Qetësohuni!
Presidenti kinez Xi Jinping i ka bërë thirrje homologut Donald Trump dhe regjimit në Korenë e Veriut që të shmangin “fjalët dhe veprimet” që përkeqësojnë tensionet.

Sipas mediave kineze, Xi i tha Trump në një bisedë telefonike se të gjitha palët e përfshira duhet t’i shmangin “fjalët dhe aktet” që mund të përshkallëzojnë situatën.

Xi gjithashtu nënvizoi se Kina dhe Shtetet e Bashkuara ndajnë interesa të përbashkëta sa i takon asgjësimit të materialeve bërthamore dhe ruajtjen e paqes në gadishullin Korean.

Ndërsa Shtëpia e Bardhë në një komunikatë për shtyp deklaroi se Shtetet e Bashkuara dhe Kina ranë dakord për faktin se Korea duhet t’i japë fund “sjelljes provokuese dhe përshkallëzuese”.

Trump dhe regjimi në Korenë e Veriut kanë shkëmbyer retorika agresive, me presidentin amerikan që ka paralajmëruar se do të vërshojë “zjarr dhe tërbim” ndaj Penianit.

Por ky i fundit deklaroi këtë të shtunë, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve KCNA, se administrata Trump “më mirë të mbajë gojën dhe të sillet si duhet nëse nuk do që perandoria Amerikane të hasë fundin e saj tragjik”.

Por Kina, aleatja e vetme madhore e Koresë, u ka bërë thirrje të dyja palëve që të përmbahen.

Tensionet e stërzgjatura për programin bërthamor të vendit të izoluar aziatik u përkeqësuan kur regjimi i tij testoi dy raketa balistike ndërkontinentale në korrik.

Ndërkohë, regjimi u acarua edhe nga vendimi i javës së kaluar të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që ashpërsoi sanksionet ekonomike ndaj tij.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.