Fundi i oshilacioneve për Lewis, Hamilton synon titullin
19/06/2017
Fundi i oshilacioneve për Lewis, Hamilton synon titullin
Piloti i Mercedes, Lewis Hamilton shihej gjerësisht si favoriti numër 1 për t’u ringjitur në fronin e garave të Formula 1 pas largimit të Nico Rosberg, por në startin e 2017 ka patur jo pak probleme. Piloti britanik beson se oshilacioneve të deritanishme këtë sezon i ka ardhur fundit dhe ndalesat e tjera këtë fushatë do të jenë më pozitive.

Ish-kampioni i botës ka humbur pikë vendimtare pas paraqitjeve në pistën e Sochi në Rusi dhe garën e Montekarlos, edhe pse të dy këto çmime u pasuan nga fitore vetëbesimi respektivisht në Spanjë dhe në Kanada. Tani në kalendarin e Formula 1 është gara e Baku në Azerbajxhan, aty ku Hamilton ka vuajtur një paraqitje zhgënjyese vitin e kaluar.

“Nuk e parashikoj dot se çfarë do të ndodhë gjatë fundjavës, pasi pista e Baku është disi rrëshqitëse, pak a shumë si në Rusi. Kemi mësuar shumë nga disa gara ku kemi zhgënjyer dhe nëse fitojmë të njëjtin kontroll si në dy javët e fundit, do të jemi në pararojë për titullin dhe jo me ulje ngritje si deri tani”, tha Hamilton.

Në pistën e Kanadasë, britaniku surprizoi shumë prej  kritikëve me xhiron më të shpejtë në garë, 1 sekondë më shpejt sesa kishte qenë më parë dhe kur ishte në mënyrë komode para shokut të ekipit, Valtteri Bottas. Por Hamilton nuk e konsideroi këtë një provë force, më shumë sesa eksperiencë dhe të dhëna më shumë për inxhinierët e tij.

/ Top Channel



MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.