Basha në Berat: Ndëshkim partive të vjetra
19/06/2017
Nga Berati, kryetari i PD Lulzim Basha i ka dërguar një mesazh të fortë rivalit të tij politik, Edi Rama.

“Nuk të lejoj të sillesh si klloun nëpër Shqipëri e të pretendosh se ti nuk je autor i 1001 të zezave e halleve që hoqi Berati dhe beratasit. Dëgjoje mirë Edi Rama zërin e këtij populli fisnik dhe punëtor, por të rebeluar dhe të vendosur për ta hedhur në Osum tepsinë dhe Rilindjen”, ka deklaruar Basha.

Basha e ka akuzuar kreun e socialistëve se, asnjë ditë të vetme nuk ka menduar për hallet e qytetarëve.

“Ai jeton në flluskën e tij i rrethuar nga vizatimet, nga ekspozitat, nga shfaqjet. I rrethuar nga një grusht oligarkësh që janë bërë miliarderë, ndërkohë që populli është varfëruar. Dhe sot ka guximin të marrë nëpër gojë të vetmin plan ekonomik që ka kjo fushatë. Planin ekonomik që e mbështet Amerika, Europa dhe që ka nxjerrë këto vende nga kriza”, ka thënë Basha.

Për kreun e opozitës, Rama në këtë fushatë ka thënë vetëm fjalë të bukura, pasi sipas tij, premtimet për herë të dytë nuk ia beson njeri.

“E ka kuptuar edhe vetë, ndaj refuzon çdo përballje. E di se në një përballje në një debat me mua do t’i dusheshin 5 minuta përpara se t’i binte të fikët”, ka thënë Basha.

Në fund kryetari i PD u ka bërë edhe një thirrje rivalëve të tij politikë, të përfshirë së fundmi në një sërë replikash që kanë marrë edhe nuanca dhune.

“Iu bëj thirrje, duke dënuar dhunën që ka shpërthyer midis PS dhe LSI, duke iu uruar shërim të shpejtë të plagosurve në spital, dua t’iu them partive të vjetra të republikës së vjetër se pushteti nuk merret më me dhunë, por vetëm me votë, e cila do t’ju ndëshkojë për zullumet 4-vjeçare”, ka shtuar Basha.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.