Makina përplas furgonin e policisë, akt terrorist në Paris

19/06/2017

Momente frike janë përjetuar në shëtitoren Champs Elysees në Paris, ku një person me automjetin e tij ka vërshuar vullnetarisht kundër një furgoni të policisë.

Një veprim ky, që sipas autoriteteve franceze, është akt terrorist. Automjeti ka shpërthyer menjëherë pas përplasjes dhe drejtuesi i tij është nxjerrë jashtë i plagosur rëndë dhe ka ndërruar jetë pak më vonë në spital.

Brenda makinës së tij janë gjetur bombola gazi, që kanë shkaktuar shpërthimin, si dhe armë të ndryshme e municione. Lajmin për vdekjen e agresorit e ka konfirmuar zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme franceze, Pierre Henri Brandet.

Saktësisht, ngjarja është regjistruar përpara komisariatit të rrethrrotullimit të Tetë të kryeqytetit francez, si dhe pak qindra metra larg pallatit presidencial Elize.

Pikërisht këtu, më vonë në mbrëmje presidenti Emmanuel Macron do të presë për një darkë zyrtare mbretin e Jordanisë, Abdallah II. Për fat të mirë nuk ka patur persona të plagosur.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.