Zjarret në Portugali, 12 të mbijetuar falë depozitës së ujit
19/06/2017
Zjarret në Portugali, 12 të mbijetuar falë depozitës së ujit
Në Portugali, 12 persona i kanë mbijetuar një prej zjarreve më vdekjeprurëse, duke u fshehur në një depozitë uji, pasi qasja në fshatin e tyre ishte bërë e pamundur nga flakët.

Banorët, mes të cilëve edhe një 95-vjeçare e paralizuar, qëndruan për më shumë se 6 orë në depozitë, pasi zjarri pengonte përpjekjet për shpëtimin e tyre.

“Nëse nuk do kishte qenë për këtë, të gjithë do të kishim vdekur”, thotë një nga të mbijetuarit.

Zjarret në Portugalinë qendrore kanë shkaktuar 62 viktima, shumica brenda makinave të tyre, ndërsa përpiqeshin të largoheshin.

Një numër zjarresh vazhdojnë të zhurisin çfarë u del përpara në disa fronte, duke i çuar kapacitetet e mbrojtjes civile portugeze në limitet e saj. Zjarre janë raportuar edhe në dy rajone të tjera qendrore të vendit, Castelo Branco dhe Coimbra.

Zjarret nisën të shtunën, gjatë një vale të nxehti intensiv dhe stuhive pa shi, me temperaturat që arrinin në më shumë se 40 gradë Celcius në disa zona. Policia tha se, sipas gjasave, një rrufe mbi një pemë mund të ketë shkaktuar zjarret. Edhe pse të hënën ra pak shi, situata vazhdon të cilësohet nga zyrtarët e mbrojtjes civile si shqetësuese.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.