Pasojat e konflikteve, rekord refugjatësh në botë
19/06/2017
Pasojat e konflikteve, rekord refugjatësh në botë
Plot 65.6 milionë njerëz në të gjithë botën, një rekord absolut, janë aktualisht refugjatë, azilkërkues apo të zhvendosur brenda vendeve të tyre.

Sipas UNHCR-së, kjo shifër e përllogaritur në fund të vitit 2016 është rritur me 300 mijë njerëz nga viti 2015. Sipas Filippo Grandit, komisionerit të lartë të OKB-së për refugjatët, duket se diplomacia ndërkombëtare ka dështuar sërish.

“Duket se bota është e paaftë të arrijë paqen. Prandaj kemi konflikte të vjetra që vazhdojnë, konflikte të reja që nisin, e që të dyja këto largojnë njerëzit. Zhvendosja me dhunë është një simbol i luftërave që nuk mbarojnë kurrë”, deklaroi Grandi.

Veç rrezikut të luftës dhe vuajtjeve të refugjatëve, Grandi paralajmëroi edhe për barrën e madhe që po mbahet nga shumë prej vendeve më të varfra të botës, pasi 84% e të zhvendosurve jetojnë në vende të varfra dhe me të ardhura të mesme. Ai shtoi se kjo bën që të ngrihet një pyetje shumë serioze morale, pasi, “si mund t’u kërkohet vendeve të varfra të pranojnë miliona refugjatë, ndërsa vendet e pasura nuk e bëjnë këtë?”.

OKB shprehu shpresën e saj se ky rekord refugjatësh do të nxisë vendet e pasura të ndryshojnë pozicion, jo thjesht duke pranuar më shumë emigrantë, por duke investuar për promovimin e paqes dhe rindërtimin.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.