Pas drogës, Duterte i shpall luftë edhe duhanpirjes

19/05/2017

Pas drogës, Duterte i shpall luftë edhe duhanpirjes
Presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte ka firmosur një urdhër ekzekutiv, që ndalon duhanpirjen në vende publike në të gjithë vendin me popullsinë e dytë më të madhe në Azinë Juglindore, duke krijuar një nga ligjet më të ashpra antiduhan në rajon.

Ndalimi, që shoqërohet me një dënim me burg deri në 4 muaj dhe një gjobë prej afro 100 dollarësh, mbulon si pirjen e duhanit në ambiente të brendshme, ashtu edhe ato të jashtme. Ai gjithashtu mbulon edhe ndalimet ekzistuese të publiciteteve të duhanit, promovimeve apo sponsorizimeve, që janë subjekt ndaj gjobave, një dënimi me burg prej 3 vitesh apo revokimit të lejeve të biznesit.

Vet Duterte ka qenë një duhanpirës i madh, por e la duhanin kur u diagnostikua se vuante nga sëmundja “Buerger”, që mund të shkaktojë bllokim të enëve të gjakut. Duterte bëri fushatë në zgjedhjet presidenciale, duke premtuar se do të ishte i ashpër ndaj kriminelëve, të korruptuarve dhe shpërndarësve apo përdoruesve të drogave, e se do të çrrënjoste veset një e nga një, përfshirë këtu duhanpirjen dhe bixhozin.

Tani, zona të dedikuara për pirjen e duhanit, jo më të mëdha se 10 metra katrorë, do të hapen vetëm për të rritur dhe duhet të jenë të paktën 10 metra larg hyrjeve apo daljeve të godinave.

Ndërsa një “task forcë” e drejtuar nga policia do të krijohet në qytete dhe fshatra. Urdhri përfshin edhe përdorimin e cigareve elektrike e do të aplikohet edhe në kazino, në ndërtesat e aeroporteve etj.

Vendi ka rreth 17 milionë duhanpirës, apo rreth një të tretën e popullsisë së rritur. Rreth gjysma e burrave filipinas dhe 9 për qind e grave pijnë duhan, ndërkohë që zakoni i kushton ekonomisë rreth 4 miliardë dollarë në vit në kujdes shëndetësor dhe humbje produktiviteti.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.