Nëse do të fitonte Le Pen...

19/05/2017

Nëse do të fitonte Le Pen...
Nuk është shkruar asnjëherë në letër dhe nuk i është vënë asnjëherë një emër, por Franca kishte një plan të detajuar për të mbrojtur Republikën, nëse udhëheqësja e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, do të zgjidhej presidente.

Mediet franceze citojnë një zyrtar anonim, i cili thotë:

“Filozofia dominuese ishte të ruhej paqja, e në të njëjtën kohë të respektoheshin rregullat tona kushtetuese”.

Mediet citojnë 3 burime anonime në dijeni të planit të emergjencës, që do të zbatohej në rast se Le Pen do të arrinte të hynte në Pallatin “Elysee”, që thonë se ai ishte hartuar nga një grup i vogël ministrash, shefash stafi dhe shërbyes të lartë civilë.

Plani kishte si qëllim kryesisht parandalimin e zemërimit publik dhe ngrirjen e situatës politike, duke thirrur Parlamentin në seanca urgjente dhe mbajtjen e kryeministrit në largim, në detyrë.

Policia dhe shërbimet sekrete ishin veçanërisht të shqetësuara nga kërcënimi i dhunës ekstreme të protestuesve të së majtës ekstreme, në rast të një fitoreje të Le Penit, ndërsa vendi do ta gjente veten në prag të kaosit.

Që përpara raundit të parë të votimit, më 23 prill, një shënim konfidencial i shërbimeve të inteligjencës tregonte se, pa përjashtim, çdo drejtori lokale publike ka shprehur shqetësime. Shefave rajonalë të policisë iu kërkua më 21 prill të detajojnë planet e dislokimit dhe kontrollit të turmave.

Frika për destabilitet politik në rast të fitores së Le Pen ishte e madhe. Edhe pse më pas ai e mohoi, mediet franceze raportojnë se, nëse Le Pen do të fitonte, kryeministri socialist Bernard Cazaneuve do të qëndronte në detyrë të paktën deri në zgjedhjet parlamentare.

Kushtetuta e Francës nuk e detyron një kryeministër të japë dorëheqjen, kur një president i ri zgjidhet. Sipas nenit 8, presidenti emëron kryeministrat, por vetëm Parlamenti mund t’i shkarkojë ata nga detyra nëpërmjet një votëbesimi. Le Pen, në parim mund t’i referohej nenit 16 të Kushtetutës, që i jep presidentit fuqi të jashtëzakonshme në situata emergjence, por pas kësaj, pa një shumicë parlamentare, ajo nuk do të ishte në gjendje të emëronte një kryeministër të ri.

Plani i emergjencës i kërkonte Parlamentit të mblidhej në një seancë urgjente më 11 maj, 4 ditë pas balotazhit, për të adresuar krizën e parashikuar kombëtare, të shkaktuar nga zgjedhja e Le Pen. Përballë trazirave civile dhe duke i kërkuar 577 deputetëve të ngriheshin në mbrojtje të Republikës, qeveria do të kërkonte dhe fitonte një votëbesim. Vullneti i elektoratit, në këtë mënyrë do të respektohej. Presidenca do të kalonte nga Hollande te Le Pen, por qeveria do të garantonte sigurinë e shtetit.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.