Gjendja në rajon, Mogherini thërret në takim krerët e Ballkanit

19/05/2017

Shefja e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë në Bashkimin Europian, Federica Mogherini po planifikon më 24 maj në Bruksel, një takim joformal me krerët e qeverive të 6 vendeve të Ballkanit.

Korrespondenti i agjencisë maqedonase të lajmeve “MIA”, në kryeqytetin e Belgjikës, tha se me shumë gjasë, kryediplomatja e bllokut pret që Shkupin në këtë mbledhje ta përfaqësojë Zoran Zaev, i porsamandatuar për krijimin e qeverisë së re maqedonase.

Por nga sa sqaron zëdhënësja e BE-së, Maja Koçijançiç, nëse kreu i LSDM-së nuk zyrtarizohet deri në atë datë si kryeministër i Maqedonisë, atëherë vendin e tij do ta zërë shefi aktual i ekzekutivit, Emil Dimitriev.

Boshtin e takimit pritet ta përbëjnë bisedimet mbi mënyrat e kapërcimit të tensioneve në rritje në rajon dhe avancimi i qëllimeve të shteteve pjesëmarrëse për anëtarësim në BE.

Ftesa e Mogherinit u drejtohet udhëheqësve të Shqipërisë, Kosovës, Bosnje-Hercegovinës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Darka e punës do të fokusohet te mundësitë e një zhvillimi më të shpejtë politik të tyre.

Nga sa njofton zyra e Mogherinit, përpos diskutimit të situatës në rajon, do të shihen edhe mundësitë e ecjes përpara së bashku.

Aktualisht, dy kriza që shqetësonin bllokun, tashmë kanë marrë zgjidhje: ngërçi i Maqedonisë po davaritet me dorëzimin e mandatit qeverisës, ndërsa në Shqipëri u arrit marrëveshja që i jep fund konfliktit mes qeverisë dhe opozitës. Baza për këtë ishte pikërisht kompromisi i ofruar nga BE-ja, por ujdia u vulos me ndihmën e Shteteve të Bashkuara.

Kosova, ndërkohë, do të mbajë më 11 qershor zgjedhje të parakohshme, pas votës së mosbesimit në Kuvend, që rrëzoi qeverinë e Isa Mustafës.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.