"Qe’palla" mbi zyrën e Metës; në dhomën ku u ngjiz pakti Rama-Basha
Ora 20:00 e së të mërkurës i bëri bashkë për herë të katërt në 1 muaj 2 rivalët politikë. Fillimisht u takuan shkarazi në hyrjen e kryesisë së Kuvendit, ku nuk munguan edhe batutat.

Rama: Erdha unë
Basha: Shko aty, se aty kemi punë, jo këtu

Ndoshta nuk ka qenë rastësi që dy liderët takimin kokë më kokë zgjodhën ta bëjnë në këtë sallë ku zhvillohen vetëm mbledhjet për çështjen e integrimit europian.

“Kemi një marrëveshje bazuar mbi paketën McAllister +”, u shpreh Basha, ndërsa Rama tha se “më lejoni që të jem 100% dakord me kryetarin e opozitës”.

Por mëngjesi i kësaj të enjteje, çadrën e ka gjetur më të qetë, në pritje të një përgjigjeje, ndonëse sheshi i lirisë ishte bërë gati si çdo të enjte për të mbajtur mbledhjen e grupit parlamentar demokrat.

Deputetë e simpatizantë qëndrojnë në pritje të Lulzim Bashës, i cili do të japë edhe udhëzimin e fundit për ngritjen e çadrës, pas qëndrimit për 90 ditë në Bulevard, mes kryeministrisë dhe kryesisë së Kuvendit.

Ka nga ata simpatizantë fanatikë demokratë që në këtë çadër kanë ardhur çdo ditë dhe marrëveshjen mes dy partive e quajnë fitore të tyre.

“Që nga 18 shkurti i jam bashkuar çadrës së lirisë dhe sot më në fund u finalizua me marrëveshje. E konsideroj një fitore për popullin në përgjithësi dhe kryesisht për atë opozitar dhe çadristat siç jemi cilësuar deri më tani”, shprehet një nga simpatizantet e PD.

“90 ditët e çadrës kanë qenë ditët e kauzës sonë për zgjedhje të lira. Jemi njohur me miq nga i gjithë vendi”, thotë një tjetër simpatizante.

E ndërsa çadra do të largohet për t’i hapur rrugën e zakonshme bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, pak metra më tutje po ngrihet një tjetër skenë, e cila gjatë pasdites do të mirëpresë qytetarë në një aktivitet të PS së Tiranës.

/ Top Channel







Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.