Hetimi ndaj Rusisë, caktohet ish-kreu i FBI. Palët e mirëpresin

18/05/2017

Hetimin mbi ndërhyrjen e supozuar ruse në presidencialet amerikane të nëntorit dhe çdo lidhje të mundshme të Moskës me stafin e fushatës së Donald Trump do ta drejtojë një i jashtëm.

Caktimi i ish-kreut të FBI-së, Robert Mueller, është përshëndetur gjerësisht nga politikanë të të dy krahëve. Zëvendësprokurori i Përgjithshëm u shpreh se, një lëvizje e tillë i shërben interesit publik.

Me këtë mendim pajtohen edhe ekspertët.

“Mendoj se është një zgjedhje shumë e mirë. Bëhet fjalë për dikë që ka shërbyer si drejtues i Byrosë Federale të Hetimit në të dy administratat, si atë republikane, ashtu edhe atë demokrate. Ai njihet si person i kujdesshëm, kërkues dhe i përqëndruar te detajet. Kam bindjen se do t’i shtojë këtij hetimi zërin e pavarur që i nevojitet në këto momente”, tha Jessica Levinson, “Loyola Law School”.

Pak orë pas caktimit të Mueller, Trump u shpreh i bindur se hetimi i ri do ta pastrojë figurën e tij dhe atë të ekipit të vet, duke treguar se nuk ka pasur asnjë bashkëpunim mes stafit të fushatës presidenciale dhe ndonjë entiteti të huaj.

Më herët, Shtëpia e Bardhë kishte deklaruar se nuk ishte e nevojshme, që një i jashtëm të drejtonte një hetim. Thirrjet për një emërim të tillë u shtuan, që kur Trump pezulloi javën e kaluar drejtorin e fundit të FBI-së, James Comey.

FBI dhe Kongresi po verifikojnë lidhjet e mundshme mes bashkëpunëtorëve të Trumpit dhe Rusisë. Agjencitë amerikane të Inteligjencës besojne se Moska është përpjekur të ndikojë zgjedhjet në favor të kandidatit republikan.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.