Yee: Bojkoti shmang përgjegjësitë
14/05/2017
Zëvendësndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee, i cili viziton të hënën Tiranën, si një përpjekje e fundit që mazhoranca dhe opozita të arrijnë një marrëveshje për zgjidhjen e krizës, ka përcjelle mesazhin kundër bojkotit.

Nga një forum për sigurinë në Budva të Malit të Zi, zyrtari amerikan tha: “Parlamentet duhet të përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat e qytetarëve. Deputetët që bojkotojnë Parlamentin, shmangin përgjegjësinë e tyre dhe injorojnë këshillën e ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Theodore Roosevelt, se është më mirë të jesh një lider i guximshëm në arenë sesa një kritik apo vëzhgues nga jashtë”.

Para të pranishmëve, zyrtari amerikan kërkoi që qeveritë e Ballkanit të luftojnë korrupsionin dhe se udhëheqësit tha ai duhet të gjejnë kurajo për të bërë reforma në interes të qytetarëve.

Hoyt Brian Yee do të takojë të hënën krerët më të lartë të shtetit dhe përfaqësuesit e opozitës dhe kjo shikohet si lëvizja e fundit e ndërkombëtarëve që mund t’i çojë palët drejt një marrëveshjeje për zgjidhjen e krizës, ndërsa shumica është e sigurt të vijojë drejt zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit, kurse opozita kërkon zgjidhje politike dhe qeveri teknike.

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili thotë se vizita e zyrtarit të lartë amerikan është një shans për kompromis dhe procesin e integrimit evropian. “Zv.ndihmës Sekretari i Shtetit, Hoyt Brian Yee të hënën në Tiranë. Një shans për kompromis, që mundëson vazhdimin e integrimit europian dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme. Një shans për momentin dhe qetësinë që duam dhe aspirojmë të gjithë”, deklaron kryetari i LSI-së, Petrit Vasili.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.