Tensionet në Kore, ushtria kineze vihet në gatishmëri
21/04/2017
Tensionet në Kore, ushtria kineze vihet në gatishmëri
Bombardues kinez
Ushtria kineze është vënë në gatishmëri të lartë që nga e mërkura, ndërsa Shtetet e Bashkuara thonë se ekzistojnë prova se Pekini po përgatitet ushtarakisht për të reaguar ndaj një situate të mundshme në Korenë e Veriut.

Një zyrtar amerikan i Mbrojtjes tha për CNN-in se, SHBA kanë parë një numër të jashtëzakonshëm avionësh të ushtrisë kineze të vihen në gatishmëri dhe t’u nënshtrohen kontrolleve të intensifikuara të mirëmbajtjes.

Këto hapa, nga ana e Kinës, vlerësohet se janë pjesë e një përpjekjeje për të reduktuar kohën e reagimit ndaj një situate ekstreme në Korenë e Veriut, tha zyrtari.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lu Kang tha ndërkohë se ishte në dijeni të raporteve për gatishmëri të Forcave Ajrore kineze, por shtoi se nuk kishte asnjë informacion për të dhënë në këtë drejtim. Sidoqoftë, ai nënvizoi se zgjidhja e parë duhej të ishte dialogu.

“Kina gjithnjë ka mbrojtur denuklearizimin e gadishullit korean, me qëllim që të ruhet paqja dhe stabiliteti, si dhe ka këmbëngulur për të zgjidhur çështjen bërthamore përmes dialogut dhe konsultimeve”, tha Kang.

Pekini është prej kohësh i shqetësuar se destabiliteti i mundshëm në Korenë e Veriut, në rast të një kolapsi të regjimit, mund të çonte në një fluks refugjatësh e ndoshta edhe ribashkim me Korenë e Jugut, aleate e ngushtë e Shteteve të Bashkuara.

Administrata e re amerikane e presidentit Trump e ka vendosur Kinën në qendër të strategjisë për Korenë e Veriut.

Mediet në Rusi kanë cituar banorë lokalë të thonë se kanë parë armatime të rënda të ushtrisë të lëvizin drejt Koresë së Veriut, ndërkohë që tensionet janë përshkallëzuar. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov refuzoi të komentonte këto raporte, duke thënë se dislokimi i trupave ruse brenda kufijve të vendit nuk është çështje publike.

“Çështja e dislokimit dhe ridislokimit të trupave brenda vendit nuk bën pjesë në kategorinë e çështjeve publike. Çdo vend që është në procesin e ndërtimit të sigurisë së tij reagon ndaj ndryshimeve në situatën ndërkombëtare”, tha Peskov.

Ajo që druhet është edhe rreziku i një konflikti të armatosur, në një kohë kur tensionet në gadishullin korean janë rritur shumë pas disa testeve raketore të Veriut komunist. Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Veriut kanë ashpërsuar retorikat, me median shtetërore të kësaj të fundit që paralajmëroi të enjten se, një goditje parandaluese nga Koreja e Veriut do t’i shkatërronte tërësisht dhe në një çast, SHBA-të dhe Korenë e Jugut, duke lënë pas vetëm hi.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.