Kapet 1 kg heroinë te “Myslym Shyri”. Arrestohen 5 persona

21/04/2017

Specialistët e narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Tiranës kanë bërë të mundur pasditen e së premtes finalizimin e operacionit “BBM”, në kuadër të cilit kanë arrestuar 5 persona dhe kanë sekuestruar sasi të ndryshme lëndësh narkotike.

Burime policore zyrtare bëjnë të ditur se në kushtet e flagrancës janë arrestuar shtetasit: Fatjon Bahiti, 27 vjeç, banues në Elbasan; Abdyl Musagaj, 49 vjeç, banues në Elbasan; Tomorr Shqezi, 53 vjeç, banues në Tiranë; Ervin Myftiu, 39 vjeç, banues në Tiranë; Nikolin Merko, 45 vjeç, banues në Tiranë.

Pas informacioneve të marra në rrugë operative për një shkëmbim të lëndëve narkotike, kryesisht të llojit heroinë, menjëherë është organizuar puna dhe efektivët kanë ndërhyrë në rrugën “Vangjush Furxhi” të kryeqytetit.

Gjatë ndërhyrjes forcat policore kanë hasur në rezistencën e shpërndarësve dhe njëri prej tyre, në përpjekie për të shpëtuar ka bërë një manovër të gabuar me automjetin e tij.

Duke ecur mbrapsht, ai ka dëmtuar tre automjete të parkuara pranë automjetit të tij, tip “Benz”, të cilin më pas e ka braktisur dhe ka tentuar të largohet me vrap.

Agjentët janë detyruar të qëllojnë në ajër për të bërë të mundur arrestimin e tij. Në brendësi të automjetit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 kilogram e 24 gramë drogë e llojit heroinë.

Më pas, agjentët kanë bërë edhe kontrollin e një biznesi privat, një mini market në pronësi të shtetasit Nikolin Merko, ku janë gjetur dhe sekuestruar 2 kilogramë e 160 gramë lëndë narkotike e llojit çokollatë.

Ndër të tjera blutë e kryeqytetit kanë sekuestruar edhe 12 telefonë celularë, si dhe dy automjete, njëri prej të cilëve “Benzi” me të cilin një i dyshuar tentoi të largohej dhe tjetri një “Alfa Romeo”.

Materialet proceduriale pritet t’i kalojnë Pokurorisë së Tiranës, për veprën penale “prodhimi dhe shitje të narkotikëve në bashkëpunim”.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.