Ekzekutohet me vdekje i dënuari për vrasje në Arkansas
21/04/2017
Arkansasi zbatoi për të parën herë në 12 vjet një dënim me vdekje me ekzekutimin e Ledell Lee, të dënuar përpara dy dekadash për një vrasje të kryer në vitin 1993.

Lëvizja erdhi pasi Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara hodhi poshtë pretendimet se shteti amerikan po i nxitonte padrejtësisht ekzekutimet përpara se rezervat e substancave të përdorura në injeksionet vdekjeprurëse të skadonin në fund të muajit prill.

51-vjeçari tani vonë kishte thënë për BBC-në se ishte i pafajshëm, ndërsa kërkesa e tij e tretë për pezullimin e dënimit kapital i ishte refuzuar.

vrasja për të cilën akuzohej është ajo e 26-vjeçares Debra Reese, të sulmuar seksualisht e të vrarë më pas në mënyrë barbare. Familja e Debrës thotë se vajza kishte vuajtur shumë dhe se ata vetë kanë pritur për 24 vjet që drejtësia të vihej në vend.

Lee ndërkohë, në intervistën e dhënë rishtazi BBC-së këmbëngulte në pafajësinë e tij dhe e përshkruante dënimin me vdekje si një makth që bëhet realitet. Ai nuk bëri asnjë deklaratë përpara se t’i injektohej doza e substancave fatale.

“Guvernatori e di se kjo mund të jetë përgjegjësia më e rëndë që mund të ketë ndonjëherë dhe e ka marrë me shumë seriozitet. I është dashur një moment i gjatë reflektimi, por në fund të ditës u bë ajo që ishte e drejtë”, tha J.R Davis, zëdhënësi i Guvernatorit të Arkansasit.
 
Lee e kishte pretenduar pafajësinë për vite të tëra dhe avokatët mbrojtës thonë se kërkonte teste të avancuara ADN-je për të vërtetuar se nuk ishte ai autori i krimit.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.