“Çabej” për Pëllumb Xhufin
21/04/2017
Në 45-vjetorin e themelimit të Akademisë së Shkencave janë ndarë për herë të parë Çmimet Kombëtare Shkencore për botimet studimore. Me çmimin “Çabej” u vlerësua historiani Pëllumb Xhufi për botimin e tij “Arbërit e Jonit”.

“Historia është degë e dijes, e cila ka pësuar shumë në këto tallazet e tranzicionit tonë të gjatë. Kush nuk ka futur duart në histori: politika, dijetarët edhe spekulantë të ndryshëm. Unë uroj shumë që ky vlerësim i librit tim të historisë të vlejë për të krijuar bindjen se historia nuk është një sport për të gjithë, por është diçka serioze, si të gjitha shkencat dhe jo kushdo mund të merret me të”, thotë historiani Xhufi.

Me çmimin “Radovicka” u nderua prof.dr.Niko Pano për botimin “Pasuritë ujore të Shqipërisë”.

“Jam shumë krenar që Akademia e Shkencave, ky institucion i jashtëzakonshëm, i cili udhëheq shkencën shqiptare me përkushtim, është bërë oaz ku njeriu gjen mbështetjen dhe përkrahjen e tij për ta çuar shkencën përpara”, thotë studiuesi Pano.

Rigers Bakiu u vlerësua me çmimin e kërkuesit të ri më të mirë në fushën e shkencave natyrore e teknike, ndërsa Andi Rrembeci dhe Sokol Cunga për botimin e tyre unik mbi ungjillin, u nderuan me çmim në fushën shoqërore dhe albanologjike.

Dy çmimet e para u vlerësuan edhe me vlerën monetare prej 1 milionë lekësh, ndërsa dy çmimet e tjera me vlerën e 500.000 lekëve të rinj.

/ Top Channel



MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.