Bushati në Uashington, takime në Pentagon dhe Departamentin e Shtetit
21/04/2017
Bushati në Uashington, takime në Pentagon dhe Departamentin e Shtetit
Në kuadër të vizitës së tij në Uashington, ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati zhvilloi takime në Departamentin e Shtetit dhe në Pentagon, me Zv/Sekretarin e Shtetit, Thomas Shannon, si dhe me Nën-Sekretaren e Politikave të Mbrojtjes, Theresa Whelan.

Në takimin me Zv/Sekretarin e Shtetit, Tom Shannon, bashkëbiseduesit trajtuan forcimin e bashkëpunimit midis dy vendeve në kuadër të partneritetit strategjik, si dhe rritjen e bashkëveprimit në përballjen e sfidave të përbashkëta, siç është lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Ministri Bushati e njohu Zv/Sekretarin e Shtetit me zhvillimet e brendshme, duke u ndalur te reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, kryesisht reforma në drejtësi dhe përpjekjet për zbatimin e vetting-ut.

Teksa rikonfirmoi partneritetin e ngushtë midis dy vendeve, Zv/Sekretari Shanon nënvizoi “mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara për zbatimin e reformës në drejtësi si dhe angazhimin e përbashkët në mbrojtje të vlerave të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut”.

Ministri Bushati falënderoi Zv/Sekretarin Shanon “për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë dhe rajonin, në forcimin e paqes, stabilitetit demokratik dhe reformave shtet-konsoliduese”.

Në këtë kontekst, Shannon bëri thirrje që “të gjitha partitë politike në Shqipëri të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”.

Bashkëbiseduesit u ndalën mbi zhvillimet e fundit në rajon, rolin konstruktiv të Shqipërisë në forcimin e bashkëpunimit rajonal, si dhe rëndësinë e kontributit të vendit tonë në përmirësimin e mjedisit të sigurisë në Europën Jug-Lindore.

Palët ranë dakord se progresi i reformave shtet-konsoliduese dhe fryma e bashkëpunimit, në frymën e vlerave dhe perspektivës euro-atlantike, mbeten akset kryesorë të përforcimit të paqes dhe stabilitetit demokratik në rajonin tonë.

Në takimin me Nën-Sekretaren e Politikave të Mbrojtjes, Theresa Whelan, Ministri Bushati falënderoi SHBA-të për mbështetjen e gjithanshme që i kanë dhënë Shqipërisë në reformën e sektorit të sigurisë dhe modernizimin e Forcave tona të Armatosura.

Biseda pati në fokus nevojën e forcimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, në përgjigje edhe të sfidave të sigurisë me të cilat po përballet hapësira euro-atlantike.

Ministri Bushati e njohu Whelan me rolin e shtuar të Shqipërisë në misionet dhe operacionet e NATO-s, si dhe mbi kontributin e saj të qenësishëm në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Bushati rikonfirmoi vendosmërinë e vendit tonë për të vijuar me materializimin e angazhimeve të marra në Samitet e NATO-s në Uells dhe Varshavë, përfshirë rritjen e buxhetit dhe investimeve në fushën e mbrojtjes.

Bashkëbiseduesit theksuan nevojën e një vëmendje të shtuar ndaj rajonit dhe të bashkërendimit të përpjekjeve për të forcuar stabilitetin demokratik dhe përmirësuar mjedisin e sigurisë.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.