DASH: Të gjitha partitë në zgjedhje; Shannon: Reforma në drejtësi, përparësi kryesore

21/04/2017

Departamenti Amerikan i Shtetit u bëri thirrje të gjitha partive politike në Shqipëri që të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të qershorit. Deklarata u lëshua pas takimit të Nënsekretarit amerikan të Shtetit për Çështjet Politike, Thomas A. Shannon, me ministrin e Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati.

Nënsekretari Shannon, sqaron DASH, riafirmoi partneritetin e ngushtë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, mbështetjen e fortë të SHBA-së ndaj përpjekjeve të vendit tonë për reformën e gjyqësorit si dhe angazhimin e përbashkët ndaj vlerave demokratike, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut.

Pikërisht në këtë takim, Shanon ka theksuar rëndësinë që të gjitha partitë politike shqiptare të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Ky është reagimi më i fortë dhe i nivelit më të lartë të administratës së Donald Trumpit mbi ngërçin politik në Shqipëri. Në fund të marsit, zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit, Hoyt Brian Yee, përcolli mesazhin se Shqipëria duhet t’i mbante zgjedhjet e saj në kohën e caktuar, në 18 qershor, duke e nxitur opozitën dhe forcat e tjera të hynin në zgjedhje e jo t’i bllokonin ato, ndërsa i mëshoi idesë se zgjidhja e problemeve duhet të vijë përmes dialogut.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.