Rama: Ballkani, në rrezik nacionalizmi

18/04/2017

Europa do të përballet me një makth të vërtetë, nëse shpresa e Ballkanit për perspektivën europiane venitet.

Në një intervistë dhënë revistës prestigjioze “Politico”, ku preken çështje që nisin nga kriza politike në Maqedoni, zgjedhjet parlamentare që po afrojnë, apo frymëzimin i marrë nga Tony Blair, kryeministri shqiptar Edi Rama thotë se, po u çmend Ballkani prej nxjerrjes së aderimit nga axhenda e bllokut, atëherë rajoni mund të kthehet në një “zonë gri”, ku aktorë të tjerë mund të kenëe ndikim më të madh sesa BE-ja.

Shumë nacionalistë shqiptarë duan ta shohin Shqipërinë të bashkuar me Kosovën, ndaj dhe Andreë MacDoëall nuk ia kurseu shefit të ekzekutivit një pyetje mbi temën nevralgjike. Përgjigjja e Ramës ishte e qartë:

“Jo, sepse e vetmja mënyrë për të ruajtur një Ballkan paqësor e bashkëpunues është të mbetet e hapur rruga e bllokut europian, perspektiva të jetë e qartë dhe ndjenjat ndaj BE-së pozitive. Askush nuk do ta donte mbylljen në vetvete dhe as unionet më të vogla, të gjitha do të dëshironin t’i bashkoheshin unionit të madh. Por nëse nuk ka shpresë, nuk ka perspektivë, nuk ka hapësirë, atëherë sigurisht që edhe unionet e vogla mund të ndodhin”, shprehet Rama.

Shumë druhen se një bashkim i Shqipërisë me Kosovën mund të nxisë trazira të reja në rajonin e përfshirë nga luftrat e 1990-s gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë. Bosnja dhe Maqedonia mund të ishin veçanërisht të cënueshme, nëse kufijtë do të diskutoheshin sërish. Rama thotë se bashkimi me Kosovën nuk është dëshira e tij, por një alternativë e mundshme përballë një dere të mbyllur të Bashkimit Europian.

“Ka një mungesë perceptimi ose një mungesë vizioni, në faktin që nuk kuptohet se ky rajon ka nevojë për Europën, por se edhe Europa gjithashtu ka nevojë për të. Si mund të jetë unioni i sigurtë dhe i mbrojtur, nëse Ballkani çmendet? Kjo është e pakuptimtë në aspektin e sigurisë”, tha Rama.

Shenjat më të fundit të paqëndrueshmërisë në rajon përfshijnë retorikën luftarake mes udhëheqësve të Kosovës e Serbisë, akuzat e tentativës për grusht shteti në Malin e Zi të mbështetur nga Rusia, kërcënimet e Republikës autonome Serbe të Bosnjes për shkëputje dhe kriza e zgjatur politike e Maqedonisë, që e ka lënë vendin pa qeveri.

Rama thotë se nuk dëshiron të shohë një luftë të re në Ballkan, por qetësimi i tensioneve varet shumë - sipas tij, - nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara. “Pavarësisht problemeve, - kujton kryeministri shqiptar, - blloku europian ka një lloj magjie mbi Ballkanin Perëndimor, ashtu siç kishin vendet themeluese të tij pas Luftës së Dytë Botërore, dhe i inkurajon krerët rajonalë të punojnë më ngushtësisht me njëri-tjetrin”.

“Sot në Europë kemi një gjeneratë që nuk e ka parë luftën. Ne në Ballkan jemi një brez që i kemi parë luftrat, ndaj dhe e kuptojmë shumë mirë”, tha Rama.

Ai më tej mbrojti “platformën shqiptare” në Maqedoni e sqaroi se thjesht kishte lehtësuar takimin e politikanëve shqiptarë atje, e nuk ishte përpjekur në asnjë moment të ndërhynte në çështjet e brendshme të vendit fqinj.

Në shtëpi, Rama përballet me një ngërç të vetin politik, por pavarësisht bojkotit të opozitës, zgjedhjet, - thekson edhe njëherë ai, - do të zhvillohen sipas planit. “Nuk mund të grabisësh procesin politik, - është komenti i kryeministrit, - e nuk mund të grabisësh Kushtetutën”.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.