Ekonomia, rritje e fortë, BB: Më e larta në Ballkan
06/04/2017
Banka Botërore publikoi në Tiranë vlerësimet më të fundit për ekonominë shqiptare, në fokus të të cilave ishin dy tregues, rritja ekonomike dhe punësimi.

“Rritja ekonomike mbetet e fortë në Shqipëri. Vendi është një nga ekonomitë me rritjen më të fortë në Ballkanin Perëndimor dhe çfarë është më e rëndësishme rritja ekonomike më në fund po ndihmon në krijimin e vendeve të punës”, tha Gallina Andronova,  kryeekonomiste e BB për Europën dhe Azinë.
 
“Shqipëria ka patus rritjen e dytë më të lartë të punësimit në vitin 2016 në rajon dhe kjo rritje e punësimit është përkthyer në ulje të varfërisë”, deklaroi Hilda Shijaku, kryeekonomiste e BB në Tiranë.

Vlerësimet janë pjesë e raportit të rregullt ekonomik, që Banka publikon për Ballkanin Perëndimor. Mesazhi i dytë që raporti jep për Shqipërinë lidhet me financat publike.

“Ne shohim përmirësim në mbledhjen e të ardhurave dhe kufizime të rëndësishme në shpenzime. Kjo do të thotë se tani borxhi publik i vendit ka filluar të stabilizohet dhe ne presim që kjo tendencë të vazhdojë”, u shpreh Andronova.

Sipas bankës, rritja ekonomike pritet të forcohet më shumë gjatë dy viteve të ardhshme, por ky skenar mund të dëmtohet nga kriza politike.

“Ekziston rreziku që tensionet politike të ndikojnë edhe në ngadalësimin e progresit të reformave strukturore dhe konsolidimit fiskal”, tha kryeekonomistja e BB në Tiranë.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.