Genocidi në Ruanda, Papa kërkon ndjesë për rolin e kishës
20/03/2017
Genocidi në Ruanda, Papa kërkon ndjesë për rolin e kishës
Papa Françesku kërkoi falje për mëkatet dhe dështimet e kishës gjatë genocidit në Ruanda, në vitin 1994, duke thënë se shpreson që ndjesa e tij të ndihmojë në shërimin e plagëve, në këtë shtet afrikan.

Por qeveria e Ruandës u shpreh qartë se ndjesa e papës nuk ishte e mjaftueshme, pasi kisha lokale ende është e përfshirë në mbrojtjen e atyre që kryen genocidin.

Gjatë një takimi me presidentin e Ruandës, Paul Kagame, Papa Francesku tha se priftërinj dhe besnikë të kishës katolike romane kishin marrë pjesë në masakrimin e rreth 800 000 njerëzve të minoritetit etnik Tutsi, nga armiqtë e tyre të etnisë Hutu.

Sipas një komunikate të Vatikanit, Papa kërkoi faljen e zotit, për gabimet e kishës dhe antarëve të saj, mes të cilëve priftërinj, besimtarë burra dhe gra që iu dorëzuan urrejtjes dhe dhunës. 

Qeveria e Ruandës nuk e vlerësoi aspak ndjesën e Papës, dhe përsëriti qëndrimin e saj të njohur se kisha katolike mori pjesë në masakra.

Në një komunikatë të qeverisë, shkruhet se mohimi i genocidit vazhdon të lulëzojë në disa grupe brenda kishës dhe të dyshuarit për genocid janë mbrojtur nga drejtësia brenda institucioneve katolike.

Presidenti aktual i Ruandës, Paul Kagame, i cili i përket etnisë Tutsi, udhëhoqi rebelët për ti dhënë fund masakrës në vitin 1994, menjëherë pas të cilës dolën akuzat se disa priftërinj dhe murgesha kishin marrë pjesë në vrasje.

Disa prej masakrave më të mëdha ndodhën në kisha, misione dhe famulli, ku njerëz të etnisë Tutsi ishin strehuar.

Qeveria e Ruandës akuzon kishën që jo vetëm nuk i mbrojti viktimat, por i dorëzoi tek milicitë Hutu dhe gjithashtu antarë të saj kryen vrasje.

Në vitin 2006, një gjykatë e OKB-së dënoi me 15 vjet burg një ish prift katolik, pasi urdhëroi buldozerët që të shembnin një kishë duke vrarë 2 000 njerëz që ishin fshehur brenda saj.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.