Bulevardi i ri i Tiranës, në qershor hapen 400 m e parë
20/03/2017
Bulevardi i ri do të jetë gati në qershor për qytetarët ku do të hapen 400 metrat e parë dhe brenda pak ditëve do të bëhet asfaltimi.

“Brenda dy-tre muajve do të hapen 400 metrat e parë, bashke me parkingun të përfunduar, së bashku me korsitë e biçikletave, me korsitë e autobusëve, pedonalet”, shprehet Genc Kojdheli, drejtor i projekteve strategjike në Bashkinë e Tiranës.

Që në krye të zgjatimit do të ketë një tjetër shesh me stola dhe mundësi argëtimi, nëntoka e të cilit është shfrytëzuar për parking nëntokësor për automjetet.

“Parkingu nëntokësor ka 320 vende, i cili do të përdoret nga të gjithë qytetarët përreth kësaj zone, por dhe bizneset që do të ngrihen përgjatë bulevardit”, thotë Kojdheli.

Për herë të parë pas tranzicionit në Tiranë ndërtohet më parë rruga e më pas nis zhvillimi . Sipas planit të Boerit, në këtë zonë do të zhvendosen ambasadat, madje në një të ardhme jo të afërt edhe vetë selia e Bashkisë për të cilën për momentin dihet vetëm trualli.

“Kjo është shtylla kurrizore e zgjatuar e qytetit. Jo vetëm ambasadat, por çdo lloj biznesi, çdo lloj ndërtuesi, i cili do të investojë në fushën e ndërtimit t’i referohet këtij bulevardi ultramodern. Është ekzaktësisht lloj i vendit ku ti dëshiron të kesh pallatin ku të banosh.

Bulevardi i ri ka një gjatësi prek 1.6 km dhe po punohet paralelisht në të gjithë gjatësinë prej 1300 metra. Ndërkohë që për 300 metrat e fundit pritet të bëhet më parë shpronësimi i shtëpive të ndërtuar në këtë segment. Përgjatë tij, janë mbjellë pisha si një vazhdimësi e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe 18 lloje të tjera pemësh.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.