Ndeshja me Italinë,  De Biasi publikon listën, 4 lojtarë nga Superiorja
20/03/2017
Ndeshja me Italinë,  De Biasi publikon listën, 4 lojtarë nga Superiorja
Kur na ndajnë vetëm 4 ditë nga takimi eliminator i shumëpritur Itali-Shqipëri, trajneri i kombëtares kuqezi ka publikuar listën e futbollistëve që do të grumbullohen për këtë ndeshje, por edhe për miqësoren ndaj Bosnjes.

Risia më e madhe është grumbullimi për herë të parë i mbrojtësit të Kukësit, Albi Alla. Një tjetër lojtar i Kategorisë Superiore që rikthehet në Kombëtare është edhe mesfushori i Skënderbeut, Liridon Latifi, ndërsa bie në sy mungesa e Shkëlzen Gashit që vazhdon të mos jetë në preferencat e De Biasit.

Sokol Cikalleshi rikthehet në Kombëtare, ndërsa emergjenca më e madhe është në fazën mbrojtëse me dy mungesa të rëndësishme si Gjimshiti dhe Mavraj. Një tjetër emër që ngjall interes është edhe mesfushori i kroatëve të NK Lokomotiva, Eros Grezda, i cili po kalon një moment shumë pozitiv.

Në këtë repart janë përfshirë gjithashtu edhe emrat e përdorur nga De Biasi gjatë muajve të fundit si Basha, Kukeli, Abrashi, Lila, Memushaj, Xhaka, Hyka dhe Roshi.

Në sulm janë thirrur Balaj, Cikalleshi, Llullaku e Sadiku, ndërsa në mbrojtje bashkë me debutuesin Alla janë të gatshëm edhe Agolli, Ajeti, Aliji, Hysaj e Veseli. Në listën e portierëve, Orges Shehi rikthehet pasi Etrit Berisha është i pezulluar, ndërsa bashkë me gardianin e Skënderbeut është edhe ai i Partizanit, Alban Hoxha dhe ai i Lazios, Tomas Strakosha.

Në konferencën për mediat nga ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit, trajneri De Biasi u shpreh se synim i Kombëtares në këto eliminatore është vendi i dytë, megjithëse mbetet një objektiv mjaft i vështirë.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.