Negociatori i OKB, Nimetz: Stabiliteti i Maqedonisë, në rrezik
20/03/2017
Ndërmjetësuesi i OKB-së për çështjen e emrit të Maqedonisë, Mattheë Nimetz i shprehu “Radios Maqedonia e Lirë” shqetësimin e tij mbi situatën politike në vend, të cilën zyrtari i Kombeve të Bashkuara e përkufizon si të rrezikshme.

“Ajo që mund të theksoj për momentin është se, gjendja aktuale bart në vetvete rrezikshmërinë e lartë që ndikimi i saj të ndihet edhe mbi sigurinë dhe stabilitetin e Maqedonisë”, është komenti i Nimetz.

Negociatori i OKB-së theksoi me forcë se, shpreson që politikanët dhe populli ta menaxhojnë krizën dhe t’i kapërcejnë problemet.

Nimetz është vetëm zëri më i fundit i shqetësimit që ngrihet nga ndërkombëtarët, ndaj ngërçit të krijuar në Maqedoni pas refuzimit të presidentit Gjorge Ivanov për t’i dorëzuar mandatin udhëheqësit të LSDM-së, Zoran Zaev, duke i hapur rrugën kështu krijimit të qeverisë së re dhe normalizimit të situatës politike në vend.

Por Ivanov nuk lëkundet nga pozicioni i tij. Përpara se të nisej për një vizitë zyrtare në Hungari, presidenti maqedonas i tha të përditshmes hungareze “Magyar Hirlap” se vendi nuk do të bjerë prè e shantazheve.

“Asnjë mandat nuk do t’iu jepet atyre që negociojnë mbi platformat e vendeve të tjera, duke shantazhuar popullin maqedonas, e duke rrezikuar karakterin unitar të vendit, sovranitetin dhe pavarësinë e tij”, deklaroi Ivanov.

Ndërkohë, agjensia e lajmeve “INA” njofton se gjatë protestave të ditëve të fundit janë parë grupe të rinjsh që mbajnë në duar pankarta ku shkruhet “vdekje shqiptarëve”. Të tilla parulla janë hasur edhe në qytete të tjera, përveç Shkupit, si dhe në stadiumet e futbollit.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.