Nishani dekreton 4 ministrat e rinj
20/03/2017 10:10
Nishani dekreton 4 ministrat e rinj
Presidenti Bujar Nishani ka dekretuar katër ministrat e propozuar nga kryeministri Edi Rama.

Nishani dekretoi Fatmir Xhafajn si ministër të Brendshëm, Ogerta Manastirliun si ministre të Shëndetësisë, Olta Xhaçkën si ministre të Mirëqenies Sociale dhe Eduart Shalsin si ministër të Pushtetit Vendor.

Kreu i shtetit nuk e pengoi emërimin e Fatmir Xhafajt në krye të Ministrisë së Brendshme. Të dielën i qëndroi besnik Kushtetutës, edhe pse, vlerësimi tij për ministrin e propozuar ishte negativ.

“Në vlerësimin tim kandidatura e ministrit të Brendshëm është e papërshtatshme, por Kushtetuta nuk ia jep të drejtë Presidentit të Republikës për të refuzuar një kandidaturë për ministër”, u shpreh kreu i shtetit.

Bujar Nishani u tregua i drejtpërdrejtë, kur tha se çfarë do të bënte, nëse do të kishte kompetencë të plotë: “Në rast se Kushtetuta e vendit do t’ia njihte të drejtën Presidentit, unë do ta refuzoja kandidaturën e ministrit të Brendshëm”.

Nishani, i cili nuk mori përsipër të krijojë një krize institucionale, ia kaloi parlamentit përgjegjësinë për të miratuar apo jo dekretimin për emërimin e ministrit të Brendshëm. Për këto dy institucione Presidenti ka një porosi publike.

“Prioriteti i parë që duhet të kërkojë Parlamenti nga qeveria dhe Ministria është depolitizimi i policisë për të nisur pastaj luftën e suksesshme ndaj fenomeneve që mund të kërcënojnë procesin zgjedhor”, u shpreh Nishani.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.