Agresori i aeroportit në Francë, alkool e drogë para sulmit

20/03/2017

Analizat toksikologjike treguan se, autori i incidentit në Aeroportin “Orly” të Parisit kishte konsumuar alkool, kanabis dhe kokainë përpara se të sulmonte ushtaren e të qëllohej për vdekje nga kolegët e saj.

Episodi i së shtunës shkaktoi frikë dhe solli mbylljen e përkohshme të aeroportit të dytë më të madh të Parisit. Edhe pse hetimet për zbardhjen e motiveve të agresorit vazhdojnë, babai i sulmuesit këmbëngul se i biri nuk ka lidhje me ekstremistët dhe se veprimet e tij kanë qenë pasojë e pijes dhe drogës.

“Djali im nuk është terrorist, - është shprehur i tronditur burri. - Ai nuk është lutur kurrë, vetëm se konsumonte alkool”.

39-vjeçari Ben Belgacem, i lindur në Francë nga prindër tunizianë, ishte dënuar disa herë për dhunë e grabitje. Kur mbërriti të shtunën në terminalin jugor të “Orly”-t, në çantën e shpinës kishte një armë dhe një bombolë gazi.

Përpara se ta qëllonin për vdekje kolegët e ushtares që tentoi ta përdote si mburojë, 39-vjeçari mësohet të ketë thirrur se donte të vdiste për Allahun. Më herët kishte telefonuar të atin, duke i thënë “e djallosa me një xhandar”.

Ishte fjala për plagosjen e për të shtënat mbi policin që e ndaloi në periferinë veriore të Parisit, për një kontroll rutinë. Incidenti i “Orly”-t erdhi në kohën kur Franca është në gjendje gatishmërie të lartë pas sulmeve xhihadiste që kanë marrë 230 jetë njerëzish dy vitet e fundit.

Shumë francezë, megjithatë, nuk lejojnë që jetët e tyre t’i kontrollojë frika e akteve terroriste.

“Sulmet janë të frikshme, kjo është e vërtetë. Megjithatë nuk të ndalojnë dot që të vazhdosh jetën. Sigurisht duhet të jesh i kujdesshëm, por nuk ka përse të dorëzohemi e të heqim dorë nga të jetuarit normalisht”, tha Alemany, banor i Parisit.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.