Meta, mesazh urimi kreut të Kuvendit të Kosovës
17/02/2017
Meta, mesazh urimi kreut të Kuvendit të Kosovës
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta i ka dërguar një mesazh urimi kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veselit me rastin e 9-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

“Me rastin e 9-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, më lejoni t’ju përcjell urimet më të përzemërta dhe më të ngrohta në emër të Kuvendit të Shqipërisë. Sot, i gjithë kombi shqiptar kujton me mirënjohje të thellë të gjithë ata që sakrifikuan për pavarësinë e Kosovës, ndaj sot nderojmë me krenari, së bashku me të gjithë qytetarët e Kosovës, mençurinë vizionare të Presidentit Ibrahim Rugova dhe përulemi me respekt të thellë ndaj heronjve të UÇK-së, me komandantin Adem Jashari në krye”, shkruan Meta.

“Sakrifica e pamasë e tyre na detyron të gjithëve të shumëfishojmë përpjekjet tona me qëllim që Shteti i Kosovës të ecë përpara në misionin kombëtar të shtimit të njohjeve ndërkombëtare, forcimit demokratik institucional dhe të avancimit në axhendën e sigurt euro-atlantike. Në këtë drejtim, ju siguroj për mbështetjen e plotë të Kuvendit të Shqipërisë dhe duke mirëpritur vizitën tuaj zyrtare ditën e hënë në Tiranë, unë besoj fort se ajo do të rikonfirmojë bashkëpunimin gjithnjë e më cilësor mes Tiranës dhe Prishtinës”, lexohet më tej në letrën e Metës.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.