“Gjermania, avokatja më e fortë e Ballkanit”

17/02/2017 12:10

Për analistin Eamonn Butler, largimi i Britanisë nga BE-ja e kthen Gjermaninë në avokaten më të fortë mbrojtëse të Ballkanit, edhe pse rajoni me shumë gjasë do të mbetet çështje e një rëndësie kyçe, përsa i takon sigurisë së Mbretërisë se Bashkuar, pavarësisht nëse do të jetë apo jo anëtare e bllokut europian.

Diskutimet mbi influencën e jashtme janë një prej temave më të rrahura nga ekspertët, sidomos kur vjen fjala tek ndikimi rus. Një njohës shumë i mirë i problematikës së Ballkanit, Norbert Mappes-Niediek, i tha DW-së se tërheqja e Bashkimit Europian prej andej mund të ketë pasoja të rënda jo vetëm për rajonin, por për të gjithë Europën. BE-ja në 20-25 vitet e fundit ishte e vetmja alternativë ndaj shteteve të vogla, të cilat nuk është se ia duan shumë të mirën njëri-tjetrit, argumenton ai.

Eksperti i zhvillimeve në Europën juglindore nuk e sheh si skenar shumë të mundshëm marrjen e një roli të rëndësishëm nga Rusia. Moska, thekson ai, nuk ka shumë për të ofruar përveç energjisë. Ajo do të mbingarkohej duke luajtur një rol që deri më tani e ka kryer BE-ja. Por, ajo që rusët mund të bëjnë është të shfrytëzojnë rastin për të vështirësuar situatën.

Niediek është i bindur se perspektiva e hyrjes në Bashkimin Europian ka pasur ndikim të madh sepse ka mbajtur të fashitura konflikte që mund të shpërthenin. Në këndvështrimin e tij, fuçia e barutit nuk është Ballkani, por Europa vetë, ndërsa Ballkani është fitili i saj dhe kjo është mjaft e rrezikshme, sepse konfliktet që krijohen nuk mbeten aty.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.