Basha uron Kosovën
17/02/2017
Basha uron Kosovën
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha uroi Kosovën për vitin e saj të nëntë të pavarësisë, me anë të një postimi në Facebook.

“Sot, në vitin e nëntë të pavarësisë së Kosovës, të dytën ditë më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, dua të uroj nga zemra vëllezërit dhe motrat e Kosovës. Nëntë vite të pavarësisë së Kosovës nuk kanë qenë vite të lehta. Vështirësi të shumta kanë sfiduar udhën e saj drejt projektit të shtetformimit. Por, pjekuria e durimi, forca e mençuria, besimi i pashterë te liria, respekti fisnik ndaj tipareve më të vyera kombëtare me të cilat ju të dashur vëllezër dhe motra keni përballuar këto sfida, do të shkruhen në faqen e krenarisë sonë kombëtare”, shkroi Basha.

“Të dashur vëllezër e motra të Kosovës. Çdo sukses i juaji është sukses i ynë, çdo hap i juaji përpara na rrit dhe ne, çdo dhimbje lëndon njësoj. Rruga që kemi përpara është ende e mbushur me sfida. Realizimi i aspiratës sonë kërkon ende sprova e pas çdo sprove rritet qartësia dhe vizioni se jemi në rrugën dhe anën e drejtë të historisë. Në këtë ditë të përvjetorit të nëntë të pavarësisë më lejoni që bashkë me urimet e gëzimin të ndaj me ju një premtim, se çdo orë, çdo ditë e jetës dhe e punës sime, sot në krye të opozitës e nesër në krye të qeverisjes së vendit, Kosova dhe aspirata jonë e përbashkët drejt integrimit do të jetë misioni ynë i madh, busulla orientuese më e qartë, energjia që do të ushqejë çdo hap tonin përpara. Ne do të jemi bashkë në këtë rrugëtim, së bashku do t’ia dalim. Gëzuar Ditën e Pavarësisë Kosovë!”, shtoi kreu i PD-së.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.