Trump uron Kosovën

16/02/2017

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i ka dërguar një letër urimi kreut të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e Ditës së Pavarësisë.

Shefi i ri i Shtëpisë së Bardhë kujton në mesazhin e tij se partneriteti mes vendeve mbështetet në vlerat dhe interesat e përbashkëta. E ardhmja e Kosovës sovrane, multietnike dhe demokratike bazohet në një Ballkan të stabilizuar, të begatë dhe plotësisht të integruar në bashkësinë ndërkombëtare, thuhet në letrën e Trump-it.

Pas kësaj, vëmendja spostohet tek sporti me paragrafin që thekson sesi Amerika kremtoi bashkë me qytetarët e Kosovës marrjen e medaljes së artë historike në Olimpiket e Brazilit, si dhe debutimin e përfaqësueses së Kosovës në përballjet ndërkombëtare të FIFA-s.

E mirëpresim vazhdimin e bashkëpunimit tonë të gjerë dhe të thellë, të përqendruar në mbështetjen e rritjes së zhvillimit demokratik dhe ekonomik, forcimin e sundimit të së drejtës në Kosovë, zgjidhjen e ngërçeve me fqinjët dhe luftën ndaj ekstremizmit të dhunshëm dhe luftëtarëve të huaj terroristë, thuhet në vijim.

Në letër nuk ka asnjë referim specifik ndaj integrimit europian të Kosovës, i cili përbënte thelbin e mesazhit të urimit që Obama i pat dërguar ish-presidentes Atifete Jahjaga me rastin e përvjetorit të tetë të shpalljes së pavarësisë.

Obama kujtonte se vazhdon ta mbështesë Kosovën në krijimin e një demokracie vibruese dhe multietnike dhe se vendi kishte bërë përparime të rëndësishme drejt këtij qëllimi të përbashkët, sidomos me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian. Përpara disa ditëve, as mesazhi i përvitshëm i SHBA-së për Serbinë në ditën e saj kombëtare nuk e përmendte dëshirën e vendit për anëtarësim në BE, të cilën Uashingtoni më parë e ka përkrahur.

/ Top Channel



MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.