Turqi, përleshje në Parlament për reformën kushtetuese

12/01/2017

Përleshje shpërthyen mes ligjvënësve turq gjatë një debati në Parlament mbi ndryshimet kushtetuese që do t’i jepnin presidentit Rexhep Taip Erdoan më shumë fuqi, duke e shndërruar në një President Ekzekutiv.

Përleshjet shpërthyen pasi deputetë të Partisë Drejtësi dhe Zhvillim u përpoqën të pengonin një deputete të Partisë Republikane të filmonte sesionin e votimit me telefonin e saj celular. Deputetët e të dyja partive këmbyen grushta dhe shkelma, ndërsa drejtuesi i seancës shtyu punimet.

Deputetët votuan nen për nen në një seancë të hapur votimi për të ratifikuar ndryshimet. Partia Republikane e Popullit argumenton se ndryshimet kushtetuese duhet të kalohen me votim të fshehtë siç edhe përcakton Kushtetuta. Sipas reformës, Presidenti Erdoan do të jetë në gjendje të shkarkojë dhe emërojë ministra, të rimarrë lidershipin e partisë në pushtet dhe të qeverisë deri në 2029.

Erdoani dhe mbështetësit e tij argumentojnë se Turqia ka nevojë për një lidership të fortë në një presidencë ekzekutive për të parandaluar kthimin tek koalicionet e brishta qeveritare të së shkuarës, por kundërshtarët druajnë se reforma do të çojë drejt autoritarizmit. Reforma sidoqoftë ka nevojë për votat e të paktën 330 deputetëve në Parlamentin me 550 vende, për të dalë më pas në një referendum në pranverë.

Partia Drejtësi dhe zhvillim ka 316 deputetë, ndërsa Partia Republikane e Popullit, 39.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.