Serveri i pasurive të gjykatësve, Prokuroria humb betejën me ILDKPI
11/01/2017
Me argumentin se nuk plotësohen kushtet ligjore, Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë kanë rrëzuar gjashtë kërkesat penale të Prokurorisë, e cila këmbënguli të sekuestronte të dhënat e ruajtura në serverin qendror të ILDKPI dhe regjistrat fizikë për konfliktin e interesave të zyrtarëve të lartë.

Të dhënat që kërkoheshin nga organi i akuzës ishin nga krijimi i institucionit, e deri në datën 8 nëntor 2016. Gjyqtarët që shqyrtuan në dhomë këshillimi rekurset e Prokurorisë së Përgjithshme, e cila ka humbur më herët edhe në dy shkallët e tjera të gjyqësorit janë Guxim Zenelaj, Artan Zeneli dhe Tom Ndreca.

Ndërkohë që ka ngelur ende pa u shqyrtuar edhe kërkesa e shtatë që nuk ka lidhje me çështjen më të rëndësishme, siç ishte beteja për serverin, por ka lidhje me një vendim sekuestroje të dokumenteve nga ana e Prokurorisë.

Procesi gjyqësor ndiqej me vëmendje të posaçme sidomos nga faktori ndërkombëtar i përfshirë direkt në reformën në drejtësi. Formalisht e akuzuar nga Prokuroria se nuk kishte denoncuar shkeljet në deklarimet e pasurive të zyrtarëve, sipas burimeve diplomatike amerikane që folën në konfidencialitet për Top Channel, serveri i ILDKPI mban deklarimet e pasurive të njerëzve të drejtësisë, të cilat në momentin e hyrjes në fuqi të Vetting-ut, do kompromentonin qëndrimin në detyrë të shumicës së tyre. Sekuestrimi i këtij serveri nga Prokuroria, nga ana tjetër, po sipas të njëjtave burime, do të kompromentonte atë, nga ndonjë ndërhyrje e papërgjegjshme në përmbajtjen e saj. Por, tashmë kjo nuk mund të ndodhë. Vendimi i të mërkurës së Gjykatës së Lartë, ia mbylli derën përfundimisht kësaj mundësie.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.