I ftohti vrasës shkakton dhjetëra viktima në Europë
11/01/2017
Është rënduar ndjeshëm bilanci i vdekjeve në Europë, nga i ftohti polar që nuk po e lëshon kontinentin e vjetër. Numri më i madh i viktimave regjistrohet në Ukrainë, ku 24 vetë raportohet të kenë humbur jetën nga i ftohti dhe probleme të lidhura me të.

Plot 10 janë vdekjet në Bjellorusi; 6 viktima të reja janë shënuar brenda 48 orëve në Poloni; nga 6 janë të vdekurit në Rumani e Sllovaki, ndërsa në vendet e Ballkanit Perëndimor, ngricat kanë marrë edhe 7 jetë të tjera, 3 nga të cilët në Serbi.

Kryesisht të pastrehët kanë qenë viktimat e kësaj dare të pazakontë të ftohti edhe në Itali, Bullgari e Çeki. Nga dita e martë është ndaluar lundrimi në lumenjtë Danub dhe Sava për shkak të pranisë së akullit, ndërsa erërat e fuqishme kanë detyruar mbylljen e përkohshme të porteve në pjesën perëndimore të Detit të Zi.

Flota ushtarake greke dërgoi të martën nga Athina drejt ishullit të Lesbosit, anije për evakuimin e qindra emigrantëve të sistemuar atje nëpër tenda. Janë rreth 10 mijë refugjatë në Greqi, që jetojnë nëpër kampe të improvizuara me tenda, e të papërshtatshme për një acar të tillë. Kjo kategori e emigrantëve të bllokuar në shtetin helen është ekspozuar ndaj temperaturave që mbërrijnë deri në 18 gradë nën zero.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.