Protesta në Kosovë për lirimin e Haradinajt

11/01/2017

Në disa qytete të Kosovës janë mbajtur protesta për lirimin e Ramush Haradinajt, të burgosur në Francë prej një jave tashmë, në bazën e një fletarresti të Serbisë.

Me moton “Haradinaj është Kosova”, si dhe “Kundër fyerjes dhe padrejtësisë”, njerëzit kanë dalë në rrugët e Prizrenit, Gjilanit, Pejës, Mitrovicës, Gjakovës e Ferizajt, një ditë përpara se gjykata franceze të shqyrtojë çështjen e të marrë një vendim.

Një protestë për Haradinajn ishte organizuar përpara Ambasadës franceze në Shkup. Tubimi, nga sa pohohet në media, është nismë e shoqërisë civile, ku mes profesorëve, artistëve, studentëve e gazetarëve ka edhe bashkëluftëtarë të Haradinajt në betejat e UÇK-së.

Serbia e dorëzoi një ditë më parë kërkesën e saj për ekstradimin e ish-kryeministrit të Kosovës. Beogradi pretendon se ka prova shtesë, të cilat nuk janë paraqitur në Hagë për ato që i konsideron krime lufte të kryera në zonën e Dukagjinit në vitin 1997, ndërsa e akuzon Haradinajn edhe për themelimin e njësisë speciale të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, “Shqiponjat e zeza”, të cilën Prokuroria e Serbisë e konsideron përgjegjëse për torturimin dhe vrasjen e dhjetëra civilëve serbë, trupat e të cilëve janë gjetur në Liqenin e Radoniqit dhe në disa puse në komunën e Deçanit.

Një ditë më parë, ndonëse debatuan për mbi 10 orë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, deputetët atje nuk arritën të miratonin rezolutën që do të kërkonte lirimin e ish-kreut të UÇK-së.

Haradinaj dha dorëheqjen nga posti i kreut të ekzekutivit më 8 mars të vitit 2005, për t’u dorëzuar vullnetarisht në Gjykatën e Hagës, e cila më pas do ta shpallte dy herë të pafajshëm ndaj akuzave për krime lufte.

/ Top Channel



MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.