Vazhdon dëbora në jug, Saranda nuk ka borëpastruese

11/01/2017 08:40

Bora që ka vazhduar të bjerë gjatë natës në jug të vendit e ka shtruar Sarandën me një trashësi prej 10 centimetrash, por ky qytet bregdetar nuk ka një shërbim borëpastrues. Autobotët e bashkisë janë pëprpjekur të pastrojnë rrugët me ujë deti.

Sipas Shtabit të Emergjencave në Sarandë, edhe rrugët e brendshme gjatë mëngjesit ishin të kalueshme vetëm me zinxhirë.

Në akset nacionale, për shkak të borës, Qafa e Muzinës kalohet me vështirësi. Situata është e ngjashme në Gjirokastër, ku qarkullimi me mjete në lagjet e sipërme është i pamundur dhe shumë makina kanë rrëshqitur.

Zona e Zagorisë dhe Pogonit janë aktualisht të izoluara. Po  ashtu, edhe Kurveleshi.

Edhe Tepelena është mbuluar nga bora. Rrugët e brendshme janë pothuajse të pakalueshme për mjetet.    
                  
Gjithashtu, janë izoluar disa njësi administrative të Memaliajt. Edhe aksi nacional Përmet-Ersekë është i bllokuar dhe nuk funksionon dogana e pikës kufitare të 3 urave, ku bora ka bllokuar rrugën. 11 fshatra të njësisë Frashër janë izoluar dhe trashësia e borës arrin në 70 cm. 

Reshje të dendura dëbore kanë nisur gjatë mëngjesit edhe në juglindje. Në Korçë, policia bën thirre që të shmangin lëvizjet e panevojshme. Në Skrapar, trashësia arrin deri 70 cm në disa fshatra, ndërsa në Berat temperaturat e ulëta kanë dëmtuar rrjetin ujësjelllës. 

Ngricat kanë pushtuar ujërat kudo nëpër Shqipëri dhe nuk mungojnë as rastet si në Prrenjas, ku akulli është kthyer në element argëtimi.
 
Ajri i ftohtë polar po vazhdon aktivitetin e tij dhe temperaturat vazhdojnë të jenë të ulëta, ku sërish sot vlera më e ulët është regjistruar -17 gradë Celcius në  qytetin verilindor të Peshkopisë.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.