Mitrovicë, sulmohet me granatë objekti i ri qeveritar
10/01/2017
Mitrovicë, sulmohet me granatë objekti i ri qeveritar
Një mjet shpërthyes është hedhur sonte në objektin e Qeverisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut, të përuruar vetëm dy javë më parë. Lajmin e ka konfirmuar për “KALLXO.com”, zëvendëskomandanti rajonal i Policisë për Veriun e Kosovës, Besim Hoti.

“Nga hedhja e një granate dore në veri të Mitrovicës janë dëmtuar xhamat e objektit qeveritar të Kosovës”, tha Hoti.

Objekti i sulmuar ishte përuruar dy javë më parë, më 28 dhjetor, nga ministrja për Dialogun, Edita Tahiri. Në ditën e përurimit, Tahiri kishte thënë se Kosova “po e shtrinte sovranitetin e vet në pjesën veriore të vendit”.

Në këtë objekt është parashikuar t’i kenë zyrat 15 ministri dhe agjenci qendrore, që kanë fushëveprimtari lokale, si Ministria e Administratës Publike, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria për Kthim dhe Komunitete, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor,  Administrata Tatimore e Kosovës, Agjencia e Statistikave, Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit, Agjencia për Mbrojtjen e Pyjeve, Agjencia Kadastrave, Agjencia e Arkivave, Agjencia e Shoqërisë së Informacionit dhe Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës.

Në këto institucione do të punojnë gjithsej 105 zyrtarë të punësuar.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.