Serbia kërkon Haradinajn, seancë e jashtëzakonshme në Kosovë
10/01/2017
Serbia kërkon Haradinajn, seancë e jashtëzakonshme në Kosovë
Serbia është e bindur se faktet e saj nuk kanë qenë në tribunalin e Hagës. Ministria e Drejtësisë nisi një dosje në gjuhën frënge, me shpresën se autoritetet franceze do ta ekstradojnë Ramush Haradinajn para drejtësisë në Beograd.

Milovan Drecun, shef i Këshillit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, thotë se kjo nuk do të duhej ta ndikonte dialogun, por sipas tij drejtësia duhet të kënaqet për të gjithë.

“E vërteta është se UÇK-ja terroriste ka pasur plan për dëbimin dhe spastrimin etnik të serbëve. E vërteta është e hidhur, por kështu është dhe nuk do të duhej të bëhen dallime në viktima”, tha Milovan Drecun.

Por këto argumente nuk janë të logjikshme për Kosovën. Arrestimi i disa shqiptarëve nga autoritetet serbe dhe rasti i fundit kanë irrituar shumë në Prishtinë, që kërkojnë edhe ndërprerjen e negociatave.

Kuvendi i Kosovës diskutoi lidhur me këtë çështje.

“Për të disatën herë po takohemi këtu për ish-kryeministrin Ramush Haradinaj dhe sërish jemi në një situatë të njëjtë. Kjo, sepse shteti ynë nuk është në krye të detyrës së tij”, tha Pal Lekaj, AAK.

“Qeveria e Republikës së Kosovës po punon intensivisht që akuzat e paligjshme, të padrejta dhe tendencioze të Serbisë ndaj personaliteteve kosovare, sepse këtu nuk flitet vetëm për rastin Haradinaj, të refuzohen si të tilla nga institucionet ndërkombëtare të sigurisë, sepse nuk kanë asnjë bazë juridike që ato të trajtohen më tej”, tha kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Por nëse Haradinaj do të ekstradohet në Beograd, këtë pak njerëz e besojnë. Dejan Anastasijeviç, gazetar që ka ndjekur gjykimet në Hagë dhe luftën në Kosovë nga afër, thotë se Haradinaj nuk mund të gjykohet në Beograd.

“E gjithë kjo histori nuk do të kontribuojë në normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës dhe nuk do të ndihmojë as formimin e komunave serbe. Por, kjo mund të ketë lidhje edhe me Gjykatën Speciale”, tha Dejan Anastasijeviç, gazetar “Vreme”, Beograd.

Kjo nuk është e hera e parë, që me fletarreste të Serbisë ndalohen zyrtarët e Kosovës. Kjo nuk është hera e parë as për Haradinajn. Por asnjë prej tyre nuk është ekstraduar. Bashkimi Europian kërkoi zgjidhje me komunikim mes Kosovës dhe Serbisë.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.